Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Prezantohet projekti i restaurimit dhe drenazhimit të Xhamisë së Plumbit, para Komunitetit Mysliman

Problemi shumëvjeçar i përmbytjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, këtij monumenti me vlera shpirtërore, kulturore, por edhe një simbol qëndrese ndaj diktaturës komuniste po gjen zgjidhje falë projektit, që do të vihet në zbatim në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë.

Në praninë e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman dhe besimtarëve shkodranë Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore prezantimin e projektit për Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës (Busatli Mehmet Pasha).

Problemi i përmbytjes do të mënjanohet përmes një sistemi drenazhimi, të organizuar mirë rreth ndërtesës dhe përmes krijimit të një sistemi kullimi të sigurt.

Objekti do t’i nënshtrohet restaurimit, duke ruajtur çdo element që e bën këtë ndërtesë unike, duke përdorur teknika dhe materiale origjinale.

Sipas Ministres Margariti “imazhi i kupolave të xhamisë mbi ujë, të jetë vetëm një kujtim dhe të rifitojë vlerat që meriton si objekt kulti dhe monument kulture, në këmbët e një kalaje të mrekullueshme si ajo e Rozafatit”.

Xhamia e Plumbit ndodhet në lagjen Tabaka të qytetit të Shkodrës, poshtë Kalasë së Rozafës, dhe 300 m larg lumit Drin dhe Kir. Zona është braktisur që nga përmbytjet e mëdha të vitit 1865, kur Lumi Drin ndërroi shtrat.

Edhe pse ndërtesa është restauruar në mënyrë periodike, dhe integriteti i saj strukturor dhe arkitekturor është ruajtur, nga kushtet atmosferike dhe koha kanë çuar në përkeqësimin dhe degradimin e materialeve dhe sipërfaqeve të materialeve. Përmbytjet dhe qëndrimi i ndërtesës për një kohë të gjatë nën ujë kanë qenë faktori kryesor për dëmtimin në gurët veshës së fasadës.{:}