Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në ambientet e arTurbinë Ministria e Kulturës prezantoi projektin përfaqësues  në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, edicioni i 58-të në Venecia, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, Elva Margariti, artistit Driant Zeneli , kuratores Alicia Knock, në një prezantim të hapur për publikun dhe gazetarët.

Pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias i takon Driant Zenelit me titullin: Maybe the cosmos is not so extraordinary. Këtë vit pavijoni qëndron hapur në datat 11 maj – 24 nëntor 2019. “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, një projekt i artistit Driant Zeneli, kuruar nga Alicia Knock. Si i shtyjmë kufijtë tanë fizikë dhe mendorë pa u bërë superheronj? A mund të bashkëjetojnë e mundura/realja dhe imagjinarja?

“Krejt padashur Drianti na çon drejt utopisë dhe ëndrrës përmes konceptit, ndërsa unë do të doja të kthehesha vite më parë, atëhere kur kjo qeveri, e drejtuar nga kryeministri Rama u angazhua që Shqipëria të marrë pjesë rregullisht në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit e kulturës si Bienalja e Venecias, e jo në mënyrë fragmentare siç kishte ndodhur para vitit 2013”- u shpreh Ministrja Margariti.

Driant Zeneli ka realizuar një projekt i cili përfshin dy filma te shkurtër, një për Metalurgjikun e Elbasanit dhe një për fëmijët që vijojnë të punojnë ende në Bulqizë.

Bashkë me dy reportazhet, në Bienalen e Venecias, Drianti do të prezantojë edhe pjesë të punës, që nga skicat e krijuara e deri tek fotografitë nga puna për realizimin e projektit.

“Jam shumë i interesuar për të gjitha aspektet sociale dhe politike, por sikur të beja një reportazh të dyte dhe të tretë do më dukej se nuk do të thoja asgjë, do të ishte konsum imazhesh për publikun pasiv, prandaj dëshira ime është krijimi i një narrative paralele, duke luajtur midis reales dhe fiction-it.

Ndërsa kuratorja Alicia Knock tha se Drianti ndërton triologji. “Ideja si gjëja lokale bëhet globale. Është e bukur të punosh me një projekt me këtë titull dhe kthehesh në një kohë që Shqipëria s’mund të shihte disa gjëra dhe ishte e mbyllur”.

Në thelb të hulumtimit të Driant Zenelit qëndron ripërkufizimi i dështimit, utopisë dhe ëndrrës. Nëpërmjet rrëfimit filmik dhe performancës, Driant Zeneli sfidon përpjekjen ngulmuese të njerëzve ndaj kufijve të tyre, duke nxjerrë në dritë përgjigjet e mundshme të brishtësisë së qenieve njerëzore dhe planetit Tokë. Ai sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. Maybe the cosmos is not so extraordinary (2019) është një video-instalacion skulpturor, i cili bazohet në një projekt shumëdisiplinar emërtuar Beneath a surface there is just another surface, i cili nisi në vitin 2015 në Metalurgjik, një kompleks industrial dystopian, në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela fanatastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit.

 

Komunikata për shtyp{:}