Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Projektligji për të “Drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” është prezantuar  para Komisionit për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik duke ndarë shqetësimin për situatën tejet problematike dhe abuzive që ka dominuar tregun e të drejtës së autorit në 10 vitet e fundit, për dëmin e madh që kanë pësuar krijuesit nga mos respektimi i kësaj të drejte dhe për nevojën e domosdoshme të një sistemi të ri rregullator.

Një ligj tërësisht në shërbim të krijuesve, autorëve, artistëve për të njohur dhe shpërblyer të drejtën e tyre të autorit, ku shteti merr, më në fund, seriozisht përsipër të luajë rolin e mbrojtësit të autorëve, duke krijuar një terren të ri të qartë komunikmi dhe transparence për tre partnerët kryesorë në fushën e të drejtave të autorit: autorët-agjencitë-përdoruesit.

Pas dy viteve punë, pas konsultimeve me rreth 30 operatorë, grupe interesi, subjekte të interesuara për fushën, Ministria e Kulturës paraqet në Kuvend një projektligj revolucionar i cili për të parën herë krijon një kornizë ligjore shumë të rëndësishme

–              jo vetëm për Ministrinë e Kulturës,

–              jo vetëm për plotësimin e kuadrit ligjor në një fushë ende të paplotë, të re, pa përvojë

–              jo vetëm për tregun e ekonomisë së prodhimeve të krijimtarisë intelektuale, artistike dhe shkencore,

–              jo vetëm për të përmbushur një detyrim të kahershëm të shtetit shqiptar që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE, i cili që prej 10 vjetësh vë theksin mbi këtë detyrim të paplotësuar të Shqipërisë në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të luftës kundër piraterisë,

–              por sidomos për të vendosur si asnjëherë më parë AUTORIN KRIJUES, në qendër të vëmendjes, si mbajtësi i vetëm i së drejtës

Duam ta theksojmë fort këtë risi, sepse

–              shënon një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, duke u renditur kështu në një hap me legjislacionet më të avancuara në Europë për këtë lëmë;

–              mbron, mbështet dhe garanton një kategori vulnerabël që është ajo e krijuesve që asnjëherë s’ka përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plotë të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale, por është përdorur, abuzuar dhe shumë pak ose aspak shpërblyer;

–              qartësojmë në mënyrë të përkufizuar qartë për të gjithë aktorët, që tagrat e së drejtës së autorit i ka vetë autori dhe që i lindin që në momentin e krijimit, si edhe të publikimit të krijimit.

Këtë të drejtë ai e ka vetë, nuk ia jep ligji. Ligji ia njeh, ia mbron, ia garanton.

Kjo është filozofia e këtij ligji dhe kjo filozofi na mundëson edhe ta përkufizojmë qëllimin e ligjit, që është garantimi i një niveli më të mirë mbrojtjeje për autorët, artistët e titullarët e të drejtave të autorit në përgjithësi, garantimin e një ambienti të përshtatshëm për respektimin e këtyre të drejtave, duke garantuar në mënyrë të plotë balancën midis të drejtave private të titullarëve të të drejtave dhe interesit publik për informim, si dhe klimës së përshtatshme të biznesit.

Ky projektligj merr parasysh zhvillimet teknologjike dhe shumëllojshmërinë e formave të shfrytëzimit të veprave letrare, artistike apo shkencore, në epokën digjitale dhe garanton mekanizma rregullatore për të mos lejuar cenimin e titullarëve të të drejtave nga njëra anë si dhe nga ana tjetër të drejtën e publikut për tu informuar.

Duke pasur parasysh se gjatë këtyre viteve procesi i shpërndarjes së shpërblimit ka qenë gati i papërfillshëm, me anë të këtij draftligji parashikohen mjete të qarta të cilat vendosin rregulla të qarta:

1.            Kufij në kuotën me të cilën mbulon agjencia shpenzimet e saj operative si OJF të cilat autorizohen nga shteti për të garantuar zbatimin e ligjit por jo ekzistencen e tyre te cilen duhet ta sigurojne nepermjet menyrave te tjera;

2.            Me këtë projektligj, kuota e agjencisë do të llogaritet mbi vleren e shpërndarë dhe jo mbi atë të mbledhur duke nxitur agjensitë të gjejnë autorët dhe jo, si sot, të gëzojnë shpërblimet e tyre duke u justifikuar me pamundësinë e gjetjes së autorëve;

3.            MK krijon fondin e promovimit të të drejtave të autorit dhe krijuesve të rinj me ato shpërblime të cilat nuk i shkojnë autorit pas 3 vitesh nga mbledhja e tyre;

4.            Transparencë në metodologjine e përcaktimit të vlerës së shpërblimit të autorit ;

5.            Ndërmjetësim me rregulla të qarta dhe vendimmarje efektive në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve;

6.            Pozicionin autoritetet shtetërore në role të qarta ndihmëse dhe garantuese të zbatimit të së drejtës së autorit .{:}