Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=5365]

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në datën 2 qershor  u hap edicioni i 17-të i Panairit të Librit “Prishtina 2015”, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.    Në këtë edicion marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, me rreth 2 mijë tituj të rinj.

 

Edicionin e sivjetmë të panairit e shpalli të hapur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro. “Ky panair, po shton komunikimin e autorëve me lexuesit e tyre, dhe po motivon shtimin e kulturës së leximit, e cila është tepër e nevojshme për një zhvillim modern të shoqërisë kosovare”, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke e shpallur të hapur edicionin e 17-të, të Panairit të librit “Prishtina 2015”.

Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se panairi i sivjetmë i Librit në Prishtinë, shtrihet në vitin e dytë të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë. “Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar, ky kalendar ka ecur me hapa të sigurtë, sepse edhe vet ky panair është pohim në fakt i suksesit që ka pasur jo thjesht kalendari, por realiteti ynë i përbashkët kulturor, si një hapësirë që shpesh e kemi thënë, si hapësirë kulturore pa kufi. Jam këtu për të tërhequr vërhequr vëmendjen, ndaj kulturës së leximit, sepse duhet të mendojmë për brezat e ardhshëm ”, ka thënë, mes të tjerash, Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro  premtuan mbështetje më të madhe për sektorin e kulturës. Më pas ata vizituan edhe disa nga tendat e shtëpive botuese të cilat deri më 7 qershor do të kenë mundësi të ofrojnë për lexuesit tituj të ndryshëm të librave për të gjitha moshat.

“Pavarsisht aktiviteteve të shumëta të përbashkëta nuk mund të themi se libri është në ditën e tij më të mirë, sepse ka konkurent të fortë, ekranin e teknologjinë, por ne duhet të mësohemi të jetojmë me konkurrencën, duke zhvilluar një edukim më të fortë për leximin. Përshëndes shumë inicativën ‘Prishtina lexon’ të Komunës së Prishtinës dhe i ftoj të gjithë që të mos kemi vetëm një ‘Prishtina lexon’ apo ‘Tirana lexon’, por një ‘Shqiptarët lexojnë’. Le të jetë kjo një nismë e përbashkët e gjithë njerëzve të kulturës, por edhe të shkollës njëkohësisht”, përfundoi ajo.

Gjatë panairit do të ketë edhe një numër aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

 

“Besoj se nuk kemi pse të flasim më për lexues të Tiranës, apo lexues të Prishtinës, por për lexues shqiptar. Për mua është shumë e mirë kjo hapje e skenës së librit dhe besoj se është e mirë si për autorët ashtu edhe për lexuesit, sepse kështu sigurojmë një qarkullim më të madh të vlerave por edhe të shijeve”, tha Kumbaro.

“Pjesëmarrja e botuesve të librit nga të gjitha trojet shqiptare Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, e forcon komunikimin kulturor ndër shqiptarë ndërmjet fuqisë së librit, dhe fuqia e librit, shton vetëdijen për udhën e përbashkët drejt integrimeve tona, pastaj afirmon gradualisht dhe me vendosmëri qenien tonë në botën perëndimore”, ka theksuar Mustafa.

 

 

Panairi i Librit “Prishtina 2015”, do të jetë i hapur deri më 7 qershor 2015. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35 000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.{:}