Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Urat” si metaforë e simbolikë përdoren shpesh në art e letërsi, por në studimet me standard shkencor për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar zbulimi dhe rizbulimi i “urave” ndërlidhëse të komunikimit e ndikimit  mes trojeve  të ndara nga luftërat, pushtimet, shpërnguljet dhe kufijtë nuk është aq i thjeshtë dhe i kollajtë. Prof. Francesco Altimari, përmes librit të tij më të ri “Urat e Arbërit” ka arritur ta bëjë këtë. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë  në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”, organizuan në Panairin e Librit, promovimin e veprës më të re të autorit profesorit të njohur arbëresh. Lidhur me vlerat e librit, pas përshëndetjes së drejtores së Institutit Italian të Kulturës, znj. Adriana Frisenna, kumtuan prof. Kolec Topalli, prof. Matteo Mandalà, prof. Sadik Bejko si edhe drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Sipas studiuesve, libri “Urat e Arbërit” i prof. Altimarit, botim i bibliotekës albanologjike “Naimi” përbën një ngjarje për kulturën shqiptare, referuar kontributit të madh që autori ka sjellë në studimet albanologjike.

Urat e Arbërit është një vepër që dëshmon jo vetëm dije të re, por dhe ekdotikë dhe epistemologji të re, mendësi të re. Ai vjen tek lexuesi shqiptar i sotëm si një propozim për të ndryshuar mendje, për të parë përmes dritaresh interpretuese më në brendësi të botës arbëreshe, mbijetesës së italo-shqiptarëve (sipas emërtimit të E. Çabejt) dhe rolit të tyre për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të mendimit shqiptar.

Botimi i veprës “Urat e Arbërit” i Francesco Altimarit u bë i mundur edhe me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Tiranë.{:}