Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimit të politikave kulturore në fushën e artit dhe kulturës dhe konkretisht mbështetjes së artistëve dhe produkteve kulturore shqiptare në aktivitete ndërkombëtare, me qëllim promovimin dhe integrimin e vlerave kulturore artistike shqiptare, si dhe shkëmbimit apo përfitimit të eksperiencës bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore, ka ndërmarrë nismën e nënshkrimit të një protokollli bashkëpunimi me Landin e Salzburgut, i Republikës Federale të Austrisë.

Me nënshkrimin e këtij protokolli bashkëpunimi, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Landi i Salzburg, bien dakort se dëshira e përbashkët e tyre është bashkimi i forcave për të mbështetur të dyja palët, programin e shkëmbimit të artistëve nga Shqipëria dhe Austria si dhe kanë synimin kryesor që artistëve nga të dyja shtetet t’u jepet mundësia që të njihen me sferën artistike dhe kulturore të shtetit tjetër, të krahasojnë veprat e tyre me ato të artistëve të tjerë ose ti krijojnë sëbashku ato.

Qëllimi i këtij protokolli, është krijimi i kuadrit të përgjithshëm, në bazë të të cilit palët do të mbështesin shkëmbimin e artistëve, duke mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin e një artisti austriak në Shqipëri dhe të një artisti shqiptar në Austri. Kjo në mënyrë që t’i shërbejë nxitjes së shkëmbimit kulturor midis artistëve nga të dy shtetet. Në mënyrë që të dyja palët të përmbushin këtë qëllim, nëpërmjet këtij protokolli bien dakort që të garantojnë secila nga dy bursa për artistët e përzgjedhur. Me anë të këtyre bursave duhet të mbulohet pjesa më e madhe e shpenzimeve për një qëndrim nga 1 deri në 2 muaj.
Ky protokoll bashkëpunimi do të jetë i vlefshëm për një periudhë 1 vjeçare nga data e nënshkrimit.

Protokolli pritet të nënshkruhet në datën 28 maj 2014 në Tiranë, Shqipëri nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Landit te Salzburgut Dr. Wilfried Haslauer. Dy artistët e parë të këtij bashkëpunimi  për vitin 2014 janë:
–          Artisti austriak Georg Bernsteiner (Arte pamore)
–          Artistja shqiptare Matilda Odobashi{:}