Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Komunikim për shtyp i Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave

“Jam këtu përpara jush, për të bërë të njohur për publikun e kryeqytetit dhe të gjithë vendit, vendimin e javës së kaluar, Nr.1682, të 15 tetorit të Këshillit të Ministrave lidhur me përcaktimin e disa rregullave të qarkullimit rrugor në Ansamblin Monument Kulture të aksit kryesor rreth qendrës  së Tiranës, duke bërë ndërhyrje në rregullore në zbatim të Kodit Rrugor.

Për të qënë më të saktë, Ministria e Kulturës, si ministria si përgjegjëse për qendrat historike dhe zonat e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Ministrinë e Brendshme, kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët të tre ministrave, në vijim të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave për të kufizuar ose ndaluar qarkullimin dhe parkimin në disa nga zonat e rëndësishme pedonale, të cilat duhet t’i rikthehen qytetarëve, si  për aktivitete sociale, estetike apo dhe thjesht për të shëtitur.

Të gjithë  jemi dëshmitarë të atmosferës shumë të ngrohtë, njerëzore,  por edhe  estetike që u krijua në sheshin Nënë Tereza, në ditët që paraprinë vizitën e Papa Françeskut dhe nga ana tjetër jemi shumë të ndjeshëm ndaj kërkesave të shoqërisë civile, sidomos në qytetin e Tiranës, që kanë kërkuar dhe vijojnë të kërkojnë prej kohësh rikthimin e disa  zonave pedonale për qytetarët e Tiranës.

Duke qënë se do të vazhdojë edhe për qytete të tjera me rëndësi për trashëgiminë kulturore, do të gjejë zbatimin e parë, pikërisht në sheshin Nënë Tereza dhe në aksin kryesor të Bulevardit, që fillon nga sheshi Nënë Tereza e deri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek ura  e madhe e Lanës, duke ndaluar plotësisht parkimin e makinave në të dy anët e Bulevardit dhe në sheshin Nënë Tereza.

Gjithashtu,  sheshi Nënë Tereza do të kthehet në zonë pedonale, çdo ditë,  nga ora 19.00 deri në orën 24.00, për ta rikthyer, jo vetëm  në një hapësirë të lirë për banorët, për familjet, por duke patur parasysh dhe zhvillimet e fundit pas çlirimit të hapësirave dhe gjelbërimin në zonat pranë sheshit Nënë Tereza. Edhe vetë hapësira e kolonave është kthyer në një hapësirë për aktivitete artistike dhe kërkesat që kemi në vijim tregon se ky lloj aktiviteti do të intensifikohet.

Kjo është dhe arsyeja pse ne vendosëm që të ndalohet dhe të kufizohet qarkullimi i automjeteve i të gjitha kategorive, si dhe parkimi i automjeteve në zonat  e sheshit Nënë Tereza, nga ora 19.00 deri në 24.00, dhe në 24 orët  orët  e ditës dhe të natës do të ndalohet parkimi i makinave të të githa kategorive, në të dy krahët e bulevardit, nga ura e Lanës, deri tek sheshi Nenë Tereza, përfshirë dhe sheshin Nënën Tereza.

Më datën 17 ka dalë urdhri i ministrit të brendshëm, ministrit të transportit dhe ministrit të kulturës, gjithashtu me detyrimin që rrjedh për autoritetet lokale, konkretisht për bashkinë e Tiranës për pajisjen me sinjalistikën, rregullimin e semaforit dhe ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Po ashtu urdhri i është transmetuar edhe bashkisë së Tiranës dhe ka hyrë në fuqi. Kështu që unë kam kënaqësinë t’u uroj të gjithë qytetarëve të Tiranës shëtitje të këndshme, të përnatshme, ta shijojnë të gjithë atë hapësirë. Ju them gjithashtu se hap pas hapi ne do të bëjmë të njëjtën gjë edhe në qendra të tjera, me të njëjtën rëndësi historike dhe kulturore, por sidomos dhe sociale në qytete të tjera të vendit.{:}