Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=1610]

Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit,  është shpallur Qendër e mbrojtur Historike me vendim qeverie. Ky vendim është  miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 janar 2017, ndërsa më herët edhe KKR ishte shprehur pro një vendimi të tillë.

Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Propozimi për shpalljen e  Qendrës Historike në fshatin Rehovë synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një  qendër e zhvillimit të  turizmit në zonën e  Kolonjës.

Qendra historike ruan vlerat urbanistiko – arkitektonike të fshatit, e cila ruan gjini të ndryshme ndërtimore si: ndërtime shoqërore, kulti dhe banesa popullore. Qendra historike përbëhet edhe nga zonat e gjelbra të përfshira brenda saj.

Qendra Historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth  kishës  dhe sheshit qendror të fshatit. Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe  përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm. Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numer të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.

 

Ministria e Kulturës bashkë me IMK dhe institucionet e tjera të  trashëgimisë është kujdesur që në bazë të vlerave që ruan Rehova, të krijojë një destinacion të veçantë për turistët, atë të  “Rrugës së Portave”. Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë, një nga gjërat karakteristike që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm,  të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrat rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20.

Synimi i Ministrisë së Kulturës pas shpalljes së Qendrës Historike është që edhe për Rehovën të krijohet i njëjti itinerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një zhvillim të ri turistik e ekonomik, përmes rijetëzimit të vlerave që mbart.{:}