Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

E dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, shtëpia e piktorit Sali Shijaku, një nga banesat karakteristike tiranase, monument kulture, i është nënshtruar restaurimit. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa, restaurimi konsiston në zëvendësimin e traut kryesor, duke e punuar me metodat e vjetra të tharjes dhe të prerjes së trarëve, për të ruajtur elementët origjinalë të banesës. Faza e parë e restaurimit të çatisë do të vijojë me një fazë të dytë, që ka të bëjë me mbulesën e çatisë (hidroizolim, rregullimi i petravave, zëvendësim i tjegullave dhe dekorim i frizurës së jashtme të strehës së çatisë etj.)

Restaurimit po i nënshtrohet dyshemeja në odën e zjarrit, por edhe element të tjerë, të hapësirës kryesore të banesës, deri te lyerja me gëlqere e saj. Po ashtu do të vendosen grilat dhe do të rregullohen dritaret në jug të banesës.

Kjo banesë e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese.  Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut. Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973{:}