Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

Nisi puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër. Pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit lokal, kjo kishë tashmë mund të konsiderohet e shpëtuar. Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe financuar nga buxheti i shtetit, parashikon rishikimin e gjendjes dhe strukturës së çatisë së hajatit në anën perëndimore, pastrimin e territorit përreth, stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit. Kisha e Profetit Ilia, në Stegopull të Lunxhërisë, monument kulture i kategorisë së I-rë, është ndërtuar në vitin 1624.

Ajo është një nga kishat e ruajtura më mirë në këtë zonë. Piktura murale e saj është vepër e Kostandinit, të birit të Mihalit nga Linotopi dhe nxënësit të tij Nikollës, siç tregon edhe mbishkrimi mbi portën e brendshme të kishës.{:}