Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tryeza e poeti  Ndre Mjeda së  fundmi mori shkëlqimin e vet, duke u restauruar në IMK në Tiranë, më 20 nëntor 2013, në ditëlindjen e poetit.  Ajo tashmë është vendosur në Shtëpinë Muze të poetit në Kukël, Komuna Bushat.

Tryeza e punës së Mjedës është një relike  e një rëndësie të veçantë, sepse aty u hartuan nga Mjeda kryeveprat e letërsisë shqipe, “Andrra e jetës”, “Lirija”, “Lissus”, “Mahmud Pasha në Mal të Zi”, etj. Tryeza e famshme ka tërhequr vemendjen e dashamirësve të letërsisë dhe kulturës shqiptare, sepse ka një histori njëqindvjeçare.  Tryeza restaurohet nën  kujdesin e veçantë të Ministrisë së Kulturës, IMK-së dhe  famullitarit dhe historianit Dom Nikë Ukgjini  dhe bëhet objekt muzeal i vizitueshëm.

Tryeza u restaurua dhe  iu kthye Muzeut në ditën  përkujtimore të 147-vjetorit të lindjes së Ndre Mjedës dhe të vitit jubilar të 100-vjetorit të ngritjes së Kishës së Kuklit. Është krijuar traditë tashmë që në ditët e Mjedës të marrin pjesë masivisht qytetarë të Shkodrës, banorë të fshatit Kukël, Barbullush, Bushat, Grash, si edhe të rrethinave të qytetit.  Në aktivitet morën pjesë intelektualë të shquar në fusha të ndryshme të dijes dhe jetës shoqërore, studiues, artistë, klerikë, gazetarë, përfaqësues të mediave. Morën pjesë edhe personalitete të shquara shqiptare e të huaja, të interesuara e që po mbështesin projektin e kthimit në identitet të Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda” , si zv. ministri i Kulturës i Shqipërisë, Zef  Çuni, Ambasadori i OSBE Raining, konsulli i nderit i Austrisë  Gjergj Liqejza, Zv.  ministri i Kulturës i Kosovës, Zef Dedaj.  Bëhet fjalë për njërën nga qëndrat kulturore më unikale e më përfaqësuese të traditave tona kulturore kombëtare.  Nëse deri më tani poeti dhe mendimtari i shquar shqiptar identifikohej me qytetin e Shkodrës, vërehet se tani e më pas, sidomos edhe për meritë të ngritjes shkallë shkallë të kësaj qëndre muzeore  në vendin e vet të origjinës, i madhi Dom Ndre Mjeda është bërë edhe më i fokusuar me Kuklin. Është kjo qendër dikur një fshat i panjohur dhe i braktisur, i cili është kthyer në një emblemë të rëndësishme që po tërheq rregullisht vizitorë nga i gjithë vendi, pse jo edhe nga e gjithë hapësira kombëtare. Është kthyer në një qendër peligrinazhi, ku shqiptarë, por edhe të huaj vijnë të shuajnë kureshtjen e tyre për këtë emër të madh të letërsisë dhe gjuhësisë e mendimit elitar shqiptar.{:}