Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6506]

 

 

Projekti për “Rigjallërimin dhe Përmirësimin e Zonës Turistike- Pazari i Krujës” është një projekt me vlerë 800.000 dollarë, i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe i mbështetur nga Fondi Shqiptaro – Amerikan i Zhvillimit. Përveç ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese me qëllim ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe promovimin e kësaj zone turistike, përmes tij synohet rritja e numrit të turistëve, zhvillimi ekomomik, fuqizimin e bizneseve vendase, certifikimi i produkteve artizanale si dhe rivitalizimi i gjithë kësaj zone turistike. Zona Turistike – Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ajo është një nga destinacionet turistike më të vizituara në Shqipëri.

Projekti përfshin ndërhyrjet infrastrukturore dhe ato konservuese/restauruese në fasada dhe çati në zonën e Pazarit të Vjetër të qytetit. Ndërhyrjet infrastrukturore do të jenë të përqendruara në zonën pedonale të pazarit ku do të kryhen përmirësime të rrugës me kalldrëm. Më konkretisht do të realizohet:

– Shtrirja e rrjetit dhe e instalimeve elektrike në këtë zonë për ndriçimin e unifikuar të të pazarit;

– Vendosja e sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit që do të aplikohet me vendosjen e hidrantëve përgjatë pazarit;

– Përmirësimi i kanalizimeve të kullimit të ujërave të bardha.

Zbatimi i ndërhyrjeve infrastrukturore do të realizohet me ndërhyrje minimale në kalldrëmin e rrugës. Plotësimi i tij do të bëhet me gurë zalli dhe teknikë të njëjtë me teknikën origjinale. Po ashtu parashikohen punime konservuese/restauruese në fasadat e dyqaneve dhe çatitë e tyre, në xokolet e fasadave, vetrata, qepena, taraba druri. Nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese, pjesore ose të plota, do të realizohet kthimi në gjendjen e mëparshme të fasadës për të ruajtur origjinalitetin e saj. Do të ndërhyhet edhe në fasadat me material druri nëpërmjet smerilimit, lyerjes me vaj lini dhe insekticid. Projekti parashikon edhe ndërhyrjet në çatitë e pazarit për të bërë unifikimin e tyre, nga materiali, forma dhe ngjyra  me qëllim që  të kthehet në gjendjen e mëparshme si nga vlera kulturore, ashtu edhe historike. Në datën 4 shtator u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për zbatimin e projektit për Rigjallërimin e Pazarit të Krujës mes Ministrisë së Zhvillimit  Urban dhe Turizmit, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Krujë dhe komunitetit të biznesit artizanal. Në fjalën e saj Ministrja Gjermeni, midis të tjerash tha: “Realizimi i këtij projekti do të përkthehet në terma ekonomikë, me rritjen e numrit të bizneseve të reja, ku përparësi do të kenë gratë dhe të rinjtë, fuqizimin e bizneseve ekzistuese, zhvillimin e produkteve artizanale dhe rritje të shitjeve, pra rritje të ekonomisë së zonës”. Punimet  për zbatimin e projektit për rigjallërimin e Pazarit të Vjetër të Krujës, që nisën më 14 tetor do të zbatohen në harkun kohor të 24 muajve. Me këtë rast, Fondacioni Shqiptaro – Amerikan i Zhvillimit organizoi një aktivitet ku morën pjesë Zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe  Zëvendësministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, z. Alfred Dalipi.{:}