Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tragjedia e Rigoletos, lolos së pallatit dhe të bijës së tij, Xhildës, hap stinën artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një nga kryeveprat e operistikes botërore dhe një nga më të rëndësishmet në repertorin e kompozitorit italian Giuseppe Verdi, “Rigoletto”, do të ngjitet në skenën e TKOB-it në datat 21, 23, 24 dhe 25 janar. Këngëtarët lirikë L. Kazani,V. Kamenica, G. Abduladze, Y. Gjini, J. Ysmanov, E. Marchesini, R. Tullumani, Z. Abazi, I. Hoxha, O. Islami do të interpretojnë nën regjinë e Nikolin Gurakuqit në bagetën e dirigjentit  Juan Manuel Busto.

Opera tjetër për këtë sezon do të jetë “I Capuleti e i Montecchi” nga Bellini. Historia e dashurisë e Romeo dhe Xhulietes do të shfaqet për publikun në muajin Mars dhe do të ketë një kast të zgjedhur artistësh për të sjellë një shfaqje realisht të bukur dhe cilësore të drejtuar nga regjisorja Ailyn Bozok.

 

Nuk do të mungojnë premierat edhe për baletin, ku në muajin shkurt do të vendoset në skenë “Arrëthyesi”, baleti i bukur klasik me muzikë të Tchaikovskyt. Megjithatë baleti do të zërë një vend shumë të rëndësishëm në këtë kalendar. Baletet që janë tashmë pjesë e repertorit do të sillen sërisht për publikun shqiptar. Do të rikthehet “Ballo e Diplomës”, “La Sylphide”, baletet klasik që mund të ndiqen nga të rritur dhe fëmijë, por nuk do të mungojnë edhe pjesët koreografike moderne dhe emrat e njohur.  Rikthehet Angelin Preljocaj me La Stravaganza & Noces si dhe Daniel Cardoson me “4 Pieces” dhe “Impact & Table”. Gjithashtu këtë sezon trupa e baletit do të jetë sërish e angazhuar në një turne një javor në Serbi me  “La Stravaganza & Noces”.

Në fushën koncertore do të vazhdojë cikli, i cili ka si synim të ringrejë Orkestrën e Dhomës së TKOB, si dhe të sjellë për publikun muzikën e dhomës. Cikli qe u hap në Dhjetor të 2015, do të vazhdojë në Janar dhe në Prill 2016 duke iu përmbajtur konceptit të angazhimit të instrumentisteve të TKOB, solistëve por edhe këngëtareve lirik që kanë qënë pjesë e masterklasit të mbajtur në TKOB. Gjithashtu nuk do të mungojnë emra të njohur të skenave botërore shqiptare dhe të huaj.

Koncertet do të jenë të shumta edhe këtë sezon ku do të kemi 9 koncerte të cilet do të ngjisin në skenë interpretues të ndryshëm, instrumentiste dhe këngëtarë lirik, shqiptarë dhe të huaj.

Ansambli Popullor do të sjellë surpriza këtë sezon. Nën drejtimin e Drejtorit të ri Artistik, Gerti Druga, shfaqjet e Ansamblit tonë do të sjellin krijimet e bukura popullore në një mënyrë krejt të re, me një koncept ndryshe nga ç’kemi parë deri tani, pra me plot surpriza të cilat do të zbulohen me koncertin e parë premierë në 18 Shkurt dhe do të vazhdojnë përgjatë sezonit me 4 koncerte të tjera.

21, 23, 24 dhe 25 janar, ora 19:00, TKOB{:}