Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ndërtesa emblematike e historisë së arsimit shqip, Muze Kombëtar i Arsimit “ABC”, në Korçë po i nënshtrohet rikonstruksionit. Kishte ardhur koha që godina e Mësonjëtores së parë shqipe, e cila nuk kishte parë investime prej vitesh, t’i nënshtrohej një rikonstruksioni, sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë, por duke ruajtur karakterin e saj monumental. Pas sondazheve dhe analizave, të kryera prej specialistëve të DRKT-Korçë dhe të IMK, që evidentojnë problematikat, do të fillojnë punimet në të gjithë strukturën, mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, për të vijuar me rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, të mbrojtjes nga zjarri. Po ashtu do të punohet për restaurimin e fasadës, duke ruajtur të gjithë elementët tradicionalë dhe duke u kujdesur që edhe materialet e përdorura të jenë origjinale. Do të ketë sistemime edhe në oborrin e ndërtesës dhe parashikohet që para fundit të vitit, gjithçka të jetë gati.{:}