Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në vijim të vendimeve të fundit të KKT-së, lidhur me marrjen e nismës për hartimin e planit të përgjithshëm të territorit dhe pezullimin e dhënieve te lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore, ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro bën me dije se: “Deri në mbarimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj të varësisë, do të bëjnë evidentimin dhe përditësimin e të dhënave për monumentet e kulturës, zonat muze, ansambël muze, qendra historike dhe parqet arkeologjike, si dhe do të përcaktojë rregullat që kanë ndikim në planifikimin e territorit për secilën kategori”.

Ministrja Kumbaro para mediave tha se, “Pezullimi i dhënieve të lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore do të frenojë këtë cënim me pasoja shpesh të pakthyeshme, që i rëndojnë fort kulturës së sotme dhe kujtesës së ardhshme”.

Në vlerësimin e ministres Kumbaro, në listën e prioriteteve të institucionit që drejton, janë përcaktuar tre momente që i paraprinë konkretizimit të vendimit të mësipërm.
-Rishikimin e të gjitha vendimeve dhe të kuadrit ligjor që rregullon administrimin e trashëgimisë kulturore në këto zona.
– Përcaktimin e kompetencave të qarta të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, të cilat nuk duhet të veprojnë në bazë të vullneteve individuale dhe as të interesave të ditës, por si rezultat i kuadrit ligjor, vendimeve kolegjiale dhe afatgjata të eksperteve të fushës.
– Një reformë në sistemin e administrimit të Trashëgimisë Kulturore për një menaxhim më të mirë territorial, për rritje të përgjegjësisë së aktorëve në terren dhe për një mbulim më të plotë të territorit”.{:}