Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Me datë 28 Maj 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve, ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme në GKA, ekspozitën vetjake të piktorit Sali Shijaku.  Pas viteve 90 – të, ekspozita e piktorit Sali SHIJAKU është ekspozita e parë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ajo i prezanton publikut shqiptar dhe të huaj krijimtarinë e Sali Shijakut, përmes 65 veprash nga më përfaqësueset, në teknikën e vajit dhe mikse. Pikturat e sjella në këtë ekspozitë i takojnë koleksionit të tij në GKA dhe studios së piktorit. Ekspozita shoqërohet edhe nga katalogu, në të cilin përfshihet ecuria e zhvillimit të pikturës së Shijakut, që nis në vitet ’50-të dhe është ende e gjallë dhe natyrale në ditët e sotme.

 

Piktura e Sali Shijakut vjen e prezantohet në këtë ekspozitë në dy periudha, në dy qëndrime dhe në dy interpretime ndaj botës pamore.

Para viteve 90-të

Piktori i ri, aso kohe në fillim të viteve 50-të, Sali Shijaku, u shfaq në mjedisin e arteve figurative shqiptare në një periudhë, kur piktura në Shqipëri ishte e lidhur me përvojat e pakta dhe të mira akademike, të sjella nga piktorët e një brezi profesionistësh pasionantë. Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ja doli me sukses kur jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor. Në fillim të viteve 60-të ai iu kthye atmosferës figurative shqiptare me pasionin e artistit për të ndryshuar dekadën dhe sot mendojmë se e bëri sëbashku me kolegët etij.

Pas viteve 90-të…

Piktori i pjekur, kësaj kohe, në dhjetëvjeçarin e dytë të Mileniumit III, Sali Shijaku, vazhdon të krijojë duke transformuar botën e tij të pikturës. Pas viteve 90-të, prej tre dekadash, ai bën një bashkëbisedim të ndjeshëm me ngjyrat dhe mollëzat e buta të gishtave të tij. Nisja për të pikturuar nuk ia ka shmangur subjektin, por ato janë të thjeshta, të zakonshme, i sheh në jetën e përditshme, i sheh në përralla e në historitë e treguara.

 

Piktori Ksenofon Dilo shkruan se, artisti Sali Shijaku ka punuar një numër të madh portretesh, pejsazhesh, natyrash të qeta dhe krijime të tjera, hera – herës përmes një spektri ngjyrash të ngrohta e të gëzuara. Ato plotësojnë karakterin dhe tiparet e veprës së tij jo vetëm si frymëzime spontane e jo celebrale të jetës, por edhe për paletën e pasur kromatike, palete që fillon e çlirohet gradualisht nga forma të rënduara sidomos siç vërehet pas viteve ’90 e këtej, në kushte dhe atmosferë kulturore të favorshme, ku për vite të tërë jeton e punon.

28 Maj – 28 Qershor 2015, GKA

 {:}