Ceremonia hapëse e Ekranit të Artit, organizuar nga “Shkodra Art House” mbrëmë në Kinema Republika ishte një përvojë e paharrueshme. Të pranishmit patën mundësinë të shijojnë dy filma të veçantë: “Those Sweet Murky Waters” dhe “Acqua, Porta Via Tutto”.
Më pas, në ish-Konsullatën Italiane, një program special videosh dhe një performancë muzikore elektrizuese e bënë natën edhe më magjike. Ky festival i organizuar nga “Art House”, që nga viti 2017, ka sjellë më shumë se 200 shfaqje filmash ndërkombëtarë dhe kombëtarë, duke u bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri.
Falë bashkëpunimeve me institucione të ndryshme kulturore ndërkombëtare, “Ekrani i Artit” ka krijuar një platformë unike për artistët dhe shikuesit, duke prezantuar filma të ndryshëm për publikun shqiptar dhe duke zgjeruar komunitetin e talenteve që ballafaqojnë qasje e qëndrime kritike, eksperienca e vepra, në një varg aktivitetesh. Këtë vit e ftuar speciale ishte edhe Iva Lulashi, nga Shkodra, që përfaqëson Shqipërinë në La Biennale di Venezia! Evente të tilla që promovojnë kulturën, artin dhe inovacionin janë thelbësore për zhvillimin e një shoqërie të pasur kulturore!