Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tetë shkrimtarë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Egjipti etj, mblidhen sot e nesër në sallën e Teatrit Kombëtar të Komedisë për të diskutuar mbi gjëra që i bashkojnë dhe i ndajnë përreth Mesdheut.

 

Lindita Arapi, Khaled Al-Khamissi, Arian Leka, Luljeta Lleshanaku, Fatos Lubonja, Ilma Rakusa, Hans-Ulrich Treichel dhe Agron Tufa do të jenë në një ligjërim të hapur për publikun e gjerë.
Nën moton “Europa si hapësirë kujtese”, sot e nesër mbahet Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë: “Deti i Bardhë – letërsitë përreth Mesdheut”, i organizuar nga dy institucionet gjermane, “Allianz Kulturstiftung” dhe “Literarisches Colloquium”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Ai vjen në Tiranë pas stacioneve të suksesshme në Berlin dhe Trieste. Në qendër të diskutimeve dhe leximeve me autorët do të jetë trajtimi i kujtesës kolektive në letërsi: në ç’mënyrë përpunohen përvojat totalitare dhe si e gjejnë ato rrugën për t’u futur në kujtesën letrare në secilin nga këto vende. Deti Mesdhe shërben në këtë proces si një element ndërlidhës midis Europës dhe kontinenteve apo rajoneve të tjera, pra, si një hapësirë sa politike, aq edhe poetike. Gjatë diktaturës 40-vjeçare, deti Mesdhe simbolizonte për shqiptarët mall dhe shpresë për lirinë e mohuar në këto dekada. Pas rënies së komunizmit, vendet përreth tij sërish u kthyen në hapësirat, ku projektoheshin ëndrrat për një jetë më të mirë në lirinë e fituar. Për këtë temë do të lexojnë nga veprat e tyre si dhe do diskutojnë me njëri-tjetrin autorët e ftuar.
Aktiviteti u përshëndet nga ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro Furxhi, dhe u moderua nga tre profesionistë të fushës, Dhurata Shehri, Parid Teferiçi dhe Mimoza Hysa{:}