Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Konkursi Kombëtar ‘Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike’ shpalli një ditë më parë fituesit.  Veç mbështetjes së Ministrisë së Kulturës si organizatore e këtij konkursi, edicioni i katërt u zhvillua për herë të parë në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Tiranë.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë për dhënien e çmimeve ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke vlerësuar eksperiencën e deritanishme, tha se vitin e ardhshëm konkursi do të jetë i konceptuar ndryshe.

‘Novelat grafike në Shqipëri nuk janë një gjini artistike tradicionale që të kenë historikun e vet. Por ne e nisëm sepse pamë krijues të rinj të talentuar që punonin. Këtë edicion ftuam miqtë tanë francez, për të parë se si ta zhvillonim më tutje këtë konkurs.
Vitin tjetër po mendojmë që ta prazantojmë më herët konkursin dhe të mos e kufizojmë temën. Do të shohim mundësinë që bashkë me miqtë francezë të zhvillojmë një masterclass.
Ky konkurs është i katërti por jo i fundit”, tha Kumbaro teksa theksoi se nuk mjafton vetëm mbështetja e Ministrisë së Kulturës për ta lëvruar më tej këtë gjini artistike.

Çmimin e parë të konkursit e fitoi Henri Dimo, të dytin Vilson Haxhiraj dhe të tretin Monika Dika. Për të tre fituesit, krahas shpërblimit financiar do të ketë edhe botim të punimeve të tyre nga Ministria e Kulturës, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën frënge.
Ambasadorja e franceze në Tiranë Christina Vasak tha se fituesi i Çmimit të parë, me mbështjen e Ambasadës Franceze, përfiton një trajnim 15 ditor në Qendrën Ndërkombëtare të Librit Vizatimor të Augouleme në periudhën 1-15 dhjetor 2018.
Krahas tre çmimeve të para, juria bëri një përjashtim duke dhëne edhe dy çmime të tjera alternative, nisur nga punimet shumë të mira që kishin mbërritur në konkurrim.
Në përbërje të jurisë që vlerësoi punimet e 42 pjesëmarrësve në këtë edicion, ishin Pierre Lungheretti, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Librit Vizatimor të Angouleme, Francë; Cedric Fortier, ilustrator pranë kësaj qendre dhe Merita Selimi, pedagoge në Universitetin e Arteve, Fakulteti i Arteve të Bukura. Të gjitha punimet e konkursit janë ekspozuar në Hollin e arTurbinës.{:}