Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4176]

Në datën 8 dhjetor në mjediset e Ministrisë së Kulturës u shpallën fituesit e konkursit “Narracioni i legjendave përmes novelave grafike”, edicioni i dytë.

Ky edicion u realizua nga Ministria e Kulturës, si një konkurs i hapur, konkurrues dhe transparent me pjesëmarrës të moshës më të re të shoqërisë shqiptare, nxënës e studentë, artistë profesionistë e amatorë.

Pjesëmarrëse në këtë ceremoni  Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro u shpreh se “ Sfidat e këtij konkursi treguan se po mbështesim këtë gjini jo shumë të lëvruar, por të dashur për artistë dhe amatorë. 25 vjet pas rënies së diktaturës ja ku jemi sërisht me të rinjtë, në një aktivitet që mbështet  lirinë e fjalës, të mendimit dhe të krijimit duke patur si referencë trashëgiminë tonë kombëtare, legjendat, përrallat dhe baladat. Ministria juaj e kulturës do të vazhdojë të mbështesë krijimtarinë edhe në këtë gjini, duke besuar fort tek energjia dhe mençuria e rinisë, e Shqipërisë së brezit tjetër”.

 

ÇMIMET E SHPALLURA

Juria e përbërë nga “Helidon Haliti, Artur Dauti dhe Sead Kazanxhiu shpalli fituesit:

ÇMIMI I PARË:  “Gjergj Elez Alia” me autorë, Florian Bregu dhe David Kryemadhi

ÇMIMI I DYTË:  “E bija e hënës dhe e diellit”, Gjergji Zhuka

ÇMIMI I TRETË:  “Rozafati”, me autore Sara Trebicka

Koordinatore e konkursit është Gerta Oparaku

Në  këtë ditë anëtarët e jurisë bashkëbiseduan me pjesëmarrësit dhe të interesuarit në gjininë e novelave grafike, duke shkëmbyer ide, mendime dhe eksperienca të përbashkëta.  Ata u shprehën se ky është një moment historik për zhvillimin dhe ecurinë e novelave grafike në Shqipëri  dhe vunë theksin në ndërgjegjësimin e  botuesve për rëndësinë e novelave grafike dhe rritjen e publikimeve në këtë fushë. Ata vunë theksin gjithashtu se duhet ruajtur origjinaliteti dhe identiteti I punimeve , si çelësi për arritjen e suksesit  dhe promovimin në tregun ndërkombëtar.

PJESËMARRJA

Në këtë edicion të dytë morën pjesë rreth 33 pjesëmarrës. Për herë të parë në konkursin e edicionit të dytë ka patur pjesëmarrje nga artistë të Maqedonisë dhe vlen të përmendet pjesëmarrja e artistit 80-vjeçar nga Kosova, Ramadan Zapllusha, i cili shënon në karrierën e tij të gjatë artistike rreth 3000 punime grafike.

Temat kryesore të këtij edicioni vazhdojnë të mbeten legjendat epike të cilat lidhen me personazhet e Doruntinës, Gjergj Elez Alia, etj.

Novelat grafike janë narracione nëpërmjet imazheve grafike të ngjashme me fumetin, me comics, strip etj. Novelat grafike janë bazat e shumë filmave, shfaqjeve teatrale dhe performancave të ndyshme artistike si psh. Borëbardha, Batman, Spiderman, Hirushja. Sot, ky lloj arti është kthyer në një gjini të preferuar të artit bashkëkohor, i cili tashmë studiohet në akademitë dhe universitetet më të njohura të botës. Novela grafike konsiderohet sot një nga elementet më të rëndësishëm të teorisë së komunikimit.

Në përfundim të ceremonisë të gjithë pjesëmarrësit u nderuan me çertifikata mirënjohje.

 

FITUESIT

 

FLORIAN BREGU Lindur më 07.01.1984 dhe banon në Tiranë. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën “Jan Kukuzeli”, Durrës në vitin 2002. Arsimin e lartë e kreu në Akademinë e Arteve të Bukura të Albertinës, Shkolla e Arteve Visuale, Torino, Itali, 2007. Ka studiuar dy vjet në Akademinë e Arteve të Bukura, Shkolla e Arteve grafike, 2009. Diplomën master professional në dizajn grafik nga Fondacioni i Akademisë së Komunikimit, Milano, 2010. Eksperienca pune: Stazh si grafik dizajner në javën ndërkombëtare, Milano. Grafik dizajner në agjenci reklamash dhe marketing, Milano. Grafik dizajner në marketing DDB Shqipëri.

 

DAVID KRYEMADHI Lindur më 15.12.1988 dhe banon në Tiranë. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën “Jan Kukuzeli”, Durrës, dhe diplomuar në skulpturë. Aftësitë e tij profesionale janë histori arti, skulpurë, vizatim, anatomi artistike. 2012-2014 kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të BrerësTeknologjia e Re e Arteve, Milano, Itali. Master në Arte. Eksperienca pune: Prill 2014 – Përgatitje e ekspozitës personale të Luca Pancrazzi. Dhjetor 2013 – Përgatitje e ekspozitës EXPOPARTY në Studio & Gallery Spiro Gollgota, Durrës. 2012-2013 – Animator artistik në projektin “Incontrati quasi per caso”. 2003-2007 – Asistent bashkëpunëtor në studio arti, Durrës për formimin artistic të fëmijëve.

 

 

GJERGJI ZHURKA Lindur më 15.01.1993 dhe banon në Tiranë. Ndjek studimet në Fakultetin e Arkitekturës, viti i 4-të, Tiranë. Është ushtruar në fushën e dizajnit dhe arteve grafike konceptuale. Ka patur eksperiencë të shkurtër pune si konsulent artistik dhe realizues imazhesh për Vodafone Albania.

 

 

SARA TREBICKA Lindur më 29 korrik 1995 dhe banuese në Durrës. Ndjek studimet në Universitetin “Polis”, dega Art Design, viti i dytë, Tiranë. Merret me pikturën, vizatimin dhe fotografinë prej disa vitesh. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive të pikturës në Durrës dhe Tiranë dhe është vlerësuar me çmime si: çmimi i tretë në ekspozitën kombëtare “Duart e arta”, Tiranë, 2010, si dhe çmimi “Maria Grazia Montagnoni” në vitin 2010.

 

JURIA

HELIDON HALITI Piktor dhe kurator  me një karrierë të suksesshme ekspozitash personale brenda dhe jashtë vendit.  Ka punuar si piktor dhe kurat  në “Ifazma Batik”, Athinë dhe  “Hellenic Art”. Në karrierën e tij artistike rendit një sërë ekspozitash personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në Galerinë e Arteve, Kosovë, Mezuraj Muze, Tiranë, Athinë, Madrid, Paris, Montecarlo, Monako, në Galerinë e Arteve “George-C-ent” në Amsterdam, Hollandë, etj.  Pjesëmarrës në Ekspozitën Ballkanistike të Arteve, në Patra-Peloponez. Drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit, Tiranë, Bienale e parë e akuarelit në Shqipëri.

 

ARTUR DAUTI Regjisor – Piktor i Filmit të Animuar. Skenograf. Ilustrator. Skenarist për filmin e animuar dhe programeve televizive për fëmijë. Në periudhën 1981 – 2012, realizon 22 filma të animuar në teknika të ndryshme. 2008–2010 Realizon 10 filma të shkurtër për fëmijë në Televizionin Shqiptar. Është autor i skenarëve për film të animuar dhe filmave televizivë për fëmijë. Pjesmarrës në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit. Nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

SEAD KAZANXHIU  Jeton dhe punon si artist vizual i pavarur në Tiranë. Formimi i tij artistik në pikturë i ka lejuar atij përdorimin e teknikave dhe mediumeve të ndryshme në piktura dhe instalacione. Si artist i ri ka qenë shumë aktiv duke marrë pjesë në ekspozita brenda dhe jashtë vendit, individuale dhe në grup, si dhe në koordinimin e projekte të ndryshme artistike. Tetor 2015 përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Artit Bashkëkohor Göteborg, Suedi. Pjesëmarrës në projektin artistik të quajtur “Arti si gjuhë për komunikim midis romëve dhe jo romëve “. Ai është gjithashtu autor i monumentit rom i cili është i vendosur në oborrin e Ministrisë Së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Tiranë, Shqipëri. Kryesisht, hulumtimi i Sead Kazanxhiut merret me të qenurit një artist rom shqiptar. Për më tepër, përmes punës së tij, ai dëshiron që të provokojë dhe të sfidojë perceptimin tradicional ndaj popullatës rome në Shqipëri dhe gjetkë.{:}