Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=10802]

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nënshkruan me homologun rus, Vladimir Medinskiy, Programin e bashkëpunimit në fushën e kulturës Shqipëri-Rusi 2017-2019

Programi i bashkëpunimit u nënshkrua me rastin e vizitës së Ministres Kumbaro në Forumin V Ndërkombëtar të Kulturës në Shën Petërburg, ku ajo ishte ftuar për të marrë pjesë.

Forumi Ndërkombëtar i Kulturës i Shën Petërburgut është një platformë e njohur shkëmbimesh të politikave kulturore të nivelit të lartë, të përvojave më të mira ndërkombtare në fushën e prodhimeve skenike, të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe një dialog i hapur për të ardhmen e trashëgimisë botërore dhe bashkëpunimeve në lëmin e artit.

Ministrja Kumbaro referoi në panelin kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore ku morën pjesë delegacione të nivelit të lartë nga Franca, Sllovenia, Greqia, Italia, Serbia, Rusia, dhe Britania e Madhe.

Për gjatë dy orëve u shkëmbyen përvoja të metodave të reja në ruajtjen dhe menaxhimin e promovimin e pasurive kulturore nga vendet pjesëmarrëse.

Ministrja Kumbaro theksoi rolin e rëndësishëm që luan promovimi i trashëgimisë kulturore për bashkëpunimin dhe komunikimin me partnerët ndërkombëtarë dhe posaçërisht me Federatën Ruse, në kuadrin e nënshkrimit të marrëveshjes kulturore,

Gjatë ditëve të Forumit, Ministrja Mirela Kumbaro zhvilloi gjithashtu një leksion të hapur me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Shën Petërburgut, me temën “Komunikimi përmes kulturës si faktor bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kohezioni social”.

Përmes një bashkëbisedimi të drejtëpërdrejtë Ministrja Kumbaro foli për “potencialet e kulturës si ura që na afrojnë, na mundësojnë të njohim Tjetrin përtej vetes dhe si e vetmja hapësirë ku nuk kemi nevojë për viza sepse kultura është pasaporta më e mirë”.

Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës edhe studentë dhe pedagogë të gjuhës shqipe të këtij Universiteti që për 60 vjet vijon me shumë pasion të ruajë mësimdhënien dhe punën kërkimore në lëmin e albanologjisë. Ky ishte një takim shumë miqësor dhe premtues ku Ministrja Kumbaro shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të mbështetur këtë Departament përmes bashkëpunimeve më të ngushta me Universitetin e Tiranës, si dhe nderoi punën e themelueses së Katedrës së Gjuëhs Shqipe në vitin 1954, Agnija Desnickaja.

Me shumë interes ishte takimi i Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me Rektoratin e Universitetit të Shën Petërburgut, gjatë të cilit u konfirmua sërish vullneti i këtij Universiteti për të vijuar në vitin e ardhshëm me bursa për studentë shqiptarë, si dhe u ideuan projekte të reja bashkëpunimi edhe në fushën e kulturës dhe të biznesit me një nga Universitetet më prestigjioze të Federatës Ruse që sot numëron mbi 35 000 studentë.

Forumi V Ndërkombëtar i Kulturës zhvilloi punimet e tij nga data 1-3 dhjetor 2016. Ky Forum organizohet nga Qeveria ruse, Ministria e Kulturës së Rusisë dhe Bashkia e Shën Petërburgut.{:}