Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=2687]

Në vijim të strategjisë së diplomacisë kulturore që zhvillon Ministria e Kulturës, këto ditë ndodhet në Kinë Ministrja Mirela Kumbaro e ftuar nga homologu i saj, Ministri kinez i kulturës Luo Shugang.

Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Iniciativës për Kulturën 16+1 ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina, në nëntor të vitit të kaluar në Sofje, dy ministrat ndërtuan marrëdhënie më të ngushta dypalëshe duke intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve në qershor 2015 në Tiranë.

 

Në këtë kornizë janë zhvilluar rreth 6 forume të përbashkëta në fusha të ndryshme të menaxhimit të artit, të letërsisë, të arteve pamore, të teatrit dhe të botimit reciprok të letërsive të të dy vendeve.

 

Takimi i 19 shtatorit 2016 konfirmoi këtë bashkëpunim dhe ritmin e tij duke theksuar një projekt shumë të rëndësishëm për skenën shqiptare: angazhimin e qeverisë kineze për mbështetje financiare në realizimin e projektit të rindërtimit të TKOBAP.

Gjithashtu ministri Shugang siguroi ministren Kumbaro për mbështetje financiare për të pajisur me mjete të reja laboratorin e restaurimit të IMK  dhe mjediset e punës së Këshillave Kombëtarë të Restaurimit dhe të Arkeologjisë.

Në takimin dypalësh ministrat diskutuan edhe për projekt-marrëveshjen për hapjen e qendrës kulturore kineze në Tiranë dhe anasjelltas si një instrument për shkëmbime afatgjata në fushën e kulturës.

 

Gjatë vizitës së saj në Kinë, ministrja Kumbaro ishte e ftuar edhe për të marrë pjesë në edicionin e parë të Ekspos Ndërkombëtare “Rruga e Mëndafshit” që organizohej në Dunhuang nga qeveria kineze, si një platformë e re gjigande për shkëmbimin e kulturave dhe të prodhimeve të artit dhe kulturës në një botë që gjithmonë e më shumë ka nevojë për dialogun ndërkulturor si një instrument i fuqishëm kundër terrorizmit dhe si një rrugë e sigurtë për zhvillim të qendrueshëm. Në Ekspo, ministrja Kumbaro u prit dhe nga zëvendëskryeministrja e Kinës, zonja Liu Yandong.

 

Në këtë kontekst Ministrja Kumbaro foli në forumin e ministrave të kulturës dhe të autoriteteve të larta të organizatave ndërkombëtare në emër të qeverisë shqiptare duke iu bashkuar iniciativës kulturore “Rruga e mëndafshit” si një  platformë e rëndësishme e shkëmbimit kulturor ndërkombëtar.{:}