Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, takim për Liqenin e Ohrit

Dy vjet pas vendimit për përfshirjen e pjesës shqiptare të Rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, u zhvillua në Ohër të Maqedonisë së Veriut takimi ndërministror, për të diskutuar rreth arritjeve të deritanishme, problematikave dhe planin e veprimit për të shkuar përpara në përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe Misioni Reaktiv 2020.

Në këtë takim mori pjesë Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi

Sipas Ministres Margariti, në këto dy vite, pavarësisht problemeve të mëdha, me të cilët është përballur Shqipëria, që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 te pandemia Covid19, janë hedhur hapa të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit.

Pas këtij takimi, të dyja palët, ajo shqiptare dhe e Maqedonisë së Veriut ranë dakord dhe u angazhuan në zbatimin e një plani strategjik të përbashkët, për rimëkëmbjen e këtij rajoni, shoqëruar nga një plan veprimi i detajuar mbi masat që do të ndërmerren për të parandaluar çdo lloj rreziku, që mund t’i kanoset pasurisë së këtij rajoni, pjesë e trashëgimisë botërore.{:}