Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

Për palën shqiptare, negociatat u drejtuan nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani, ndërsa për palën moldave nga Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Punës dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Cristina Jandic.

Nënshkrimi së fundmi i Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e integrimit evropian mes qeverive tona është një tjetër dëshmi e qartë e vullnetit të përbashkët për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të shkëmbyer përvoja në procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian.

Në këtë frymë bashkëpunimi, hapja e negociatave për një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore merr një rëndësi të veçantë. Marrëveshja synon të sigurojë një gamë të gjerë përfitimesh për qytetarët shqiptarë, si: pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe atë të invaliditetit. Gjithashtu, ajo do të garantojë bashkimin e periudhave kontributive, duke mundësuar që qytetarët të mos humbasin vitet e punës dhe të përfitojnë nga sigurimet shoqërore në të dyja shtetet.