Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Duke nisur që sot organizatat kulturore shqiptare do të mund të përfitojnë nga Nënprogrami Kulturor i Evropës Krijuese. Komisionerja Evropiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë Androulla Vassiliou dhe ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi nënshkruan në lidhje me këtë një marrëveshje mes Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë.

“Jam e lumtur që Shqipëria do të përfitojë tashmë nga Evropa Krijuese. Sektorët e saj kulturorë dhe krijues do të forcohen, ndërsa audiencat në Shqipëri dhe përtej do të përfitojnë nga shtimi i diversitetit kulturor. Pata kënaqësinë ta takoja ministren Kumbaro Furxhi para disa muajsh dhe jam e lumtur që përfunduam tani këtë marrëveshje që u jep mundësi organizatave kulturore shqiptare të punojnë me partnerë evropianë në projekte kulturore transnacionale,” tha komisionerja Vassiliou.

Me një buxhet prej rreth 1.5 miliard Euro gjatë shtatë viteve të ardhshme – 9% më shumë se nivelet e mëparshme – Evropa Krijuese do t’u mundësojë deri në 250 000 artistëve dhe profesionistëve evropianë të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë.

Për shembull, organizatat shqiptare, do të kenë mundësi të aplikojnë për grante për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe. Shqipëria pritet gjithashtu t’i bashkohet nënprogramit MEDIA të Evropës Krijuese pasi të ketë përshtatur legjislacionin e saj audiovizual me ligjet e BE-së.

Në kuadrin e Programit të mëparshëm Kulturor (2007-2013), organizatat kulturore shqiptare kanë marrë grante për katër projekte për përkthime letrare me vlerë rreth 170 000 Euro të dhëna. Ato gjithashtu kanë marrë pjesë në një numër projektesh bashkëpunimi, si ‘WebTv për Kulturën Evropiane’ (2012) dhe ‘ Festivali i Hapur Kulturor i Rinisë (2012)’.

Komisioni Evropian parashikon marrëveshje të ngjashme me Evropën Krijuese për  Bosnjën dhe Hercegovinën, me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Turqinë, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, ndërkohë që bisedimet përgatitore me disa vende të tjera janë në vazhdim. Një marrëveshje e ngjashme është nënshkruar më 19 qershor me Serbinë.

Shqipëria ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje për të marrë pjesë në disa veprimtari ‘Erasmus+’, programi i ri i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin), së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Me të hyrë në fuqi marrëveshjet e nënshkruara, këto vende do të mund të përfitojnë mbështetje  nga platformat e mbështetjes IT, përfshirë eTwinning dhe mbështetje për reforma që kanë të bëjnë me politikat.

Institucionet dhe organizatat në këto vende do të përfitojnë gjithashtu nga financimet ve bashkëpunimit të jashtëm për arsimin e lartë dhe lëvizshmëria e rinisë në dhe nga BE-ja, si dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushat e arsimit të lartë dhe rinisë.

Për më shumë informacion klikoni këtu{:}