Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Për herë të parë në Panairin e Leipzigut Shqipëria prezantoi autorët shqiptarë në stendën shqiptare.

Pjesëmarrëse në takimin e autorëve shqiptarëve shqiptarë,  Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro  theksoi se ” Stenda shqiptare është një stendë e kulturës. Kur flasim për integrimin evropian kultura është ajo që na përfaqëson më së miri, e cila luan edhe rolin e promotorit politik  dhe ekonomik në integrimin evropian. Anëtarësimi në TRADUKi është  një nga promotorët e integrimit”.

Pjesëmarrës në stendën shqiptare ishin Ministri i Kulturës së Maqedonisë, Robert Alagjozovski, Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar  Bogdanović, drejtoresha e rrjetit Traduki, Antje Contius, përfaqësues nga KulturKontakt dhe Ministria e Kulturës së Austrisë, etj.

Biseda u moderua nga Mimoza  Hysa, e cila theksoi se “Koncepti i përfaqësimit të letrave shqipe në këte panair eshte krijimi i hapësirës së dialogut gjithëpërfshirës. Letërsia na ndihmon për të  rrëfyer izolimin e pazakontë dhe tranzicionin e gjatë për të kuptuar veten dhe tjetrin. Ndaj në të njëjtën stende shqiptare përfaqësohemi me shkrimtarin Ismail Kadare dhe Kasëm Trebeshinën, për një dialog të hapur”.

Tre shkrimtarë, të ndryshëm nga njëri tjetri rrëfyen  pengjet dhe temat e krijimtarisë së tyre: Thanas Medi emigrant në Greqi prej shumë vitesh rrëfeu ngulmimin që e kishte shtyrë të rrefente historinë e një pakice të harruar: vllehët.

Historia e popullit  endacak që ngrinte kasollet buzë lumenjve, ku në një te tillë kishte lindur dhe vetë,historia e ruajtjes së një kulture me tradita, rite të çuditshme. Këngë e shumë magji.

Gazmend Kapllani rrëfeu për nje tjetër shpërngulje të dhimbshme, atë të emigrantit. Dhe obsesionin e tij për kufijtë: ata të dukshëm dhe ata të padukshëm.

Udhëtimi i Manjola Nasit është “Një udhetim e gjysmë” është shtegtim në kohë. Është Fari, syri i madh që sheh e ruan të gjithë që shkojnë  e vijnë  pa lëvizur.

Kush përfiton më shumë: ai që ikën, apo ai që rri?

Per Gazmend Kapllanin bota nuk mund të jetojë pa emigracionin, pa njohjen me tjetrin që vë në provë gjithsecilin.  Kush përfiton më shumë  pastaj është  pyetje njëmilion dollarëshe.

Për Thanas Medin shtegtimi dhe lëvizja bëhet  për një jetë më të te mirë dhe është rritje e njeriut.{:}