Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Për herë të parë, Shqipëria, e përfaqësuar nga znj. Borana Ajazi, Drejtoreshë e të Drejtës së Autorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, mbajti pozicionin e Zëvendës-Drejtueses në sesionin e 17-të të Komitetit Këshillimor të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale (ACE) në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).
ACE është forumi i vetëm global që trajton politikat mbi mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e strategjive ndërkombëtare për këtë fushë. Ky emërim i Shqipërisë është një sukses i jashtëzakonshëm për MEKI-n, duke njohur përpjekjet e saj në fuqizimin e të drejtës së autorit dhe rikonfirmuar besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare.
Tema e ACE 17, “Pirateria në internet”, solli në vëmendje sfidat dhe përpjekjet globale për të mbrojtur të drejtat e autorit në epokën digjitale. Në këtë kuadër, Shqipëria prezantoi iniciativat e saj për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe forcimin e mekanizmave të zbatimit në hapësirën digjitale.
Gjatë sesionit, u zhvillua gjithashtu një takim dypalësh me Drejtorin e Përgjithshëm të OBPI, z. Daren Tang, ku u diskutua rëndësia e këtij pozicioni për Shqipërinë, progresi në fushën e pronësisë intelektuale dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes OBPI dhe vendit tonë.
Ky angazhim i Shqipërisë në një forum të tillë prestigjioz dëshmon përkushtimin e tonë për të forcuar kornizën ligjore dhe institucionale të pronësisë intelektuale dhe për të kontribuar aktivisht në politikat globale mbi mbrojtjen e të drejtave të autorit.