Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Programm Leipizg Veranstaltungen

Panairi i Lajpcigut për vitin 2015 do të zhvillohet në datat 12-15 mars, me pjesëmarrjen e autorëve, përkthyesve, rrjeteve letrare, botuesve dhe shypit kritik letrar.  Ministria e Kulturës mbështet financiarisht Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, që përfaqëson stendën e letrave shqipe në këtë panair dhe autorët e zgjedhur nga kjo shoqatë: Arian Leka dhe Gëzim Qendro.
Edhe këtë vit, panairi i librit do të jetë një festë për librat dhe njerëzit e librit. Prej shekujsh, Lajpcigu nuk mund të ndahet nga termi letërsi. Lexuesit do të zbulojnë letërsinë dhe letrarët në takime personale. Këtë e mundëson festa më e madhe e leximit, panairi i librit në Lajpcig. Shtëpitë botuese kërkojnë sot në Lajpcig një skenë për autorët e tyre, ose përpiqen të fitojnë shkrimtarë të rinj.
Panairi i Lajpcigut, interesimi i partnerëve tanë evropianë për prezencën e autorëve shqiptarë, mbështetja nga Ministria e Kulturës në këtë pjesëmarrje janë shprehje e besimit, bashkëpunimit dhe profesionalizmit dhe njëherësh pjesë e strategjisë kulturore të Mk-së për krijimin e një hapësire ndërkulturore evropiane.
Poeti dhe eseisti Arian Leka do të marrë pjesë në debatin me temën : “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Organizuar nga Traduki dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në panel do të flitet për Durrësin, zbulimi i një qyteti shqiptar mesdhetar. Në programin zyrtar të Panairit shkruhet: “Shqipëria është ende vendi më misterioz i Evropës. Jo vetëm për shkak të izolimit të saj të gjatë dhe veçantive gjuhësore. Enver Hoxha dhe njëqind mijë bunkerë tashmë përbëjnë një terminologji të fiksuar për shumë njerëz. Por si duket Shqipëria përtej këtyre figurave të mirënjohura?  Poeti dhe eseisti shqiptar, Arian Leka, i ka kushtuar një pjesë të madhe të veprës së tij artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit.  Uwe Rada, gazetar dhe autor, ka udhëtuar përgjatë bregdetit të Adriatikut në Itali, Kroaci, Mal të Zi, Bosnie dhe Hercegovinë dhe Shqipëri dhe ka shkruar një histori kulturore të Adriatikut dhe të Evropës (Adriatiku. Rizbulimi një vendi malli, 2014)”.
Autorët dhe botuesit shqiptarë do të jenë pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Europës, nga Sllovenia në Bullgari, nga Rumania deri në Bosnje e Mal të Zi. Filmi, muzika, Nata Ballkanike janë pjesë e një programi të ngjeshur të rrjetit “Traduki”, partner zyrtar i Panairit të Lajpcigut, ku prej një viti i bashkangjitet edhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qendro do të marrë pjesë në “Natën Ballkanike” e cila krijon mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese.
Panairi i parë i pavarur i librit në Lajpcig pas ribashkimit të Gjermanisë mblodhi në prill 1991 vetëm 25.000 vizitorë. Në vitin 2012, panairi pati 163.500 vizitorë. Konceptet e vjetra të panairit kishin mbijetuar. Por si duhet të ishin të rejat? Në këtë situatë lindi  “Lajpcigu lexon”. Nismëtar i këtij koncepti ishte Klubi Bertelsmann. Ideja e kësaj feste të librit ishte të bindeshin shtëpitë botuese për të përdorur në të ardhmen, bashkë me autorët e tyre, panairin dhe gjithë qytetin e Lajpcigut si skenë të madhe për letërsinë e re të pranverës. Me ndihmën organizative të qytetit të Lajpcigut, projekti arriti statusin e një panairi të librit në 1992: 80 autorë lexonin dhe diskutonin në rreth 160 hapësira të Lajpcigut. Kjo sipërmarrje arriti sukses: Qyteti i Lajpcigut dhe mysafirët e tij patën 46 përqind më shumë vizitorë.
Në vitin 1993, në katalogun e panairit u listuan 220 aktivitete. Ndryshe nga festivalet klasike të letërsisë, panairi “Lajpcigu lexon” është konceptuar edhe si përforcues i marketingut të shtëpive botuese. Pjesëmarrja është e hapur për çdo ekspozues. Kjo e bën panairin “Lajpcigu lexon” shumë të larmishëm, si vetë bota e librave.
Netët e Lajpcigut bëjnë që kufiri midis jetës dhe leximit të mos ndihet. Autorë të rinj dhe shtëpi botuese ofrojnë në “Lajpcigu lexon”, formate origjinale aktivitetesh në të gjithë Lajpcigun.
Me 3200 aktivitete dhe 3.000 bashkëpunëtorë  në 410 vende, festa më e madhe e leximit në Evropë ofron sukses të garantuar.
Panairi i Librit në Lajpcig dëshmon me zë të lartë dhe në një formë të bukur artistike fjalën e shkruar, të thënë, të regjistruar dhe të vizatuar.{:}