Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

 

Nga data 18-22 maj 2023 u mbajt në Torino edicioni i 35-të i Sallonit Ndërkombëtar të Librit, ku për herë të parë Shqipëria mbajti statusin e “vendit mik” (paese ospite).

Në ceremoninë e hapjes përshëndetën këtë ngjarje, por edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë:

Gennaro Sangiuliano, Ministër i Kulturës së Italisë; Alberto Cirio, President i Regione Piemonte; Ignazio La Russa, President i Senatit; Stefano Lorusso, kryetari i bashkisë së Torinos; Silvio Viale, President i Shoqatës “Torino, qytet i librit”; Giulio Biino, President i Fondacionit Circolo dei Lettori.

E pranishme në ceremoni, Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh:

“Ka qenë një pritje e gjatë, një “brengë e bukur” siç thotë shkrimtari ynë i madh Kadare dhe nuk mund të mos pranonim ftesën për të qenë jo thjesht pjesëmarrës, por miq.

Ishte një periudhë shumë e shkurtër për t’u përgatitur, por në të njëjtën kohë një mundësi shumë e madhe për ne, për të treguar Shqipërinë letrare.

Kam jetuar 16 vjet në Itali dhe e di fare mirë se është dashur shumë punë për të ndryshuar imazhin tonë dhe këtë ftesë e shoh si një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që finalen e ka me anëtarësimin në familjen e madhe europiane, ku gjeografikisht dhe shpirtërisht gjithnjë kemi qenë pjesë”.

Salloni shqiptar u përurua me një tjetër ceremoni, me pjesëmarrjen e kantautorit Ermal Meta. Përmes një videoje përshëndetëse qe i pranishëm në këtë ngjarje shkrimtari Ismail Kadare.

Prania e Shqipërisë qe në vëmendje të të gjitha mediave italiane, të cilat u ndalën jo vetëm në instalacionin gjigant në hyrje të pavijonit nr.1, por edhe për programin e pasur.

Në mbyllje të Sallonit, organizatorët italianë u shprehën se ky edicionin shënoi një shifër prej 215 mijë vizitorësh.

Salloni shqiptar

Frymëzuar nga “Liza në botën e çudirave”, edicioni i këtij viti mbajti titullin”Përmes pasqyrës”; një rrugëtim mes fantastikes dhe reales; nga fëmijëria në botën e të rriturve; nga e shkuara në të ardhmen.

I tillë ishte edhe Salloni Shqiptar, i frymëzuar nga një prej veprave të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, projektuar nga ark Matilda Pando dhe artisti Ergys Krisiko.

Një sallon i konceptuar si një vepër arti, që ftonte vizitorët të hynin në të dhe të zbulonin Shqipërinë letrare, e cila gjithëherët ka ofruar një letërsi europiane, me stacionet e veta të ndalimit dhe pengesa, por me një orientim të qartë perëndimor, që vjen që në kohërat e Buzukut e Bogdanit, te autorët e Rilindjes Kombëtare, ata të shek. XX e deri në brezat më të rinj të shkrimtarëve.

Përgjatë 5 ditëve të Sallonit të Torinos pati rreth 40 aktivitete, promovime librash të përkthyer në gjuhën italiane, panele diskutimesh mbi letërsinë bashkëkohore me një prani të pasur autorësh e studiuesish shqiptarë e italianë, të magjepsur nga universi i jashtëzakonshëm shqiptar.

Lista e shkrimtarëve, përkthyesve e studiuesve të pranishëm në Sallonin shqiptar është e gjatë. Mes tyre ishin:

Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Bashkim Shehu, Ermal Meta, Lucia Nadin, Tom Kuka, Ardian Ndreca, Ardian Kuçuku, Darien Levani, Rita Petro, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka, Durim Taçi, Anilda Ibrahimi, Artur Spanjolli, Stefan Çapaliku, Mimoza Hysa, Diana Kastrati, Liridon Mulaj, Andreas Dushi, Tobias Xhaxhiu, Denada Ndreca, Christan Elia, Nicola Petrazzi, Fabio Rocchi, Sonila Strakosha etj. Ishin të pranishëm me botimet e tyre edhe Qendra e Botimeve për Diasporën dhe Qendra e Botimeve për Arbëreshët. Në një prej aktiviteteve të QBD ishte e pranishme dhe MInistrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Një tjetër moment i bukur e prezencës shqiptare ishte edhe mbrëmja me poezi e muzikë shqiptare, interpretuar nga Vikena Kamenica, Kristian Koroveshi e Tobias Xhaxhiu.

Ngritja e këtij salloni u bë i mundur falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Regione Puglia, Qendra Shqiptare në Torino, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, Ambasada Shqiptare në Romë.{:}