Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Një destinacion i ri kulturor dhe turistik i shtohet kryeqytetit. Bëhet fjalë për shndërrimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Një nismë e Bashkisë së Tiranës, realizuar nga arkitektja Elizabeta Terragni.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, regjisori Piro Milkani, ambasadorë e mjaft personalitete të fushës së artit dhe të letrave, morën pjesë në hapjen për publikun të Shtëpisë-Studio Kadare.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se falë prekjeve elegante që janë realizuar për ta kthyer këtë shtëpi në një muze, publiku ka mundësi të vizitojë njē fragment kohe të ngrirë, pa zhbërë imazhet e krijuara në mendje, gjatë leximit të veprave të Kadaresë. Nga ana tjetër, e quajti të guximshme, që çifti Kadare hapi dyert e intimitetit të tyre për publikun. Kryebashkiaku Erion Veliaj dha lajmin e mirë të restaurimit të pallatit “kubist”, nga vetë arkitekti Maks Velo. Ndërsa arkitektja Terragni shpjegoi gjithë procesin e ndjekur, nga ideja deri tek ceremonia e përurimit, për t’i udhëhequr të pranishmit në një vizitë nëpër muzeun e ri.{:}