Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në qytetin e Korçës do të nisë  Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës së Parkut ideuar nga  artisti Genti Tavanxhiu në 2008,  aktivitet që solli një ndryshim mentaliteti në artin e parkut . Ky aktivitet është anëtarësuar në ISSA – “International Sculpture Symposium Alliance/Aleanca Ndërkombëtare e Simpoziumit të Skulpturës”, Tongling, Kinë, 2012.  Genti Tavanxhiu njihet për aktivitetin e tij të vazhdueshëm në rrjetin e qyteteve me të njëjtën nismë dhe falë suksesit ndërkombëtar të edicioneve të kaluara. Qëllimi i këtij aktiviteti është pasurimi i qyteteve Shqiptare me një koleksion të veçantë të veprave të artit bashkëkohor, por edhe pasurimi i kulturës e mentalitetit artistik me një dimension të ri të menduari dhe krijuari në skulpturë. Projekti “Skulptura e Parkut” do të zhvillohet në Korçë si një nga eventet e shumëpritur të kulturës në këtë stinë.

Këtë vit qyteti i Korçës i hap dyert edicionit të 7-të të Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës së Parkut. Në këtë edicion janë ftuar të marrin pjesë 6 artistë: 4 të huaj dhe 2 shqiptarë, shumë nga artistët pjesëmarrës janë të afirmuar në arenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

Artistët do të japin kontributin e tyre artistik me gdhendjen e skulpturave të reja në gur dhe në dru duke i dhuruar qytetit 6 vepra që do t’u bashkangjiten atyre paraardhëse.  Në këtë edicion do të organizohet ceremonia e përurimit të platformës së skulpturave në Parkun “Rinia”, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë artistët shqiptarë dhe të huaj.

Aktiviteti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Korçës,  Qendra  e  Kulturës  “Vangjush Mio”,  dy institucione që promovojnë me shumë entuziazëm këtë aktivitet prej tre vitesh, duke hartuar edhe një program të posaçëm për nxjerrjen në pah të vlerave të qytetit të Korçës me artistët pjesmarrës.

Këtë vit i bashkangjitet Simpoziumit edhe Qëndra Publike e Formimit Profesional e udhehequr nga drejtoresha, Znj. Anxhela Taho, e cila do të punojë së bashku me artistët duke i ndihmuar ata dhe në të njëjtën kohe duke realizuar në gurin korçar elemente të traditës. Iniciativa shërben për të promovuar kulturën dhe zanatin në brezat e rinj.

 

Artistët pjesëmarrës të këtij edicioni do të jenë:

 

Nilhan Sesalan                        Turqi

Christos Lanitis                       Qipro

Francesca Bernardini               Itali

Chiu Tai-Yang                         Taiwan

Vladimir Topi                         Shqipëri

Ardit Beli                       Shqipëri

 

Aktiviteti, i nisur në vitin 2008 ka sjellë artistë nga gjithë bota:  Japonia, Zelanda e Re , Gjermania , Serbia, Italia , Turqia , Franca, Rumania , Bullgaria , Spanja, Portugalia , Egjipti, Qipro, Anglia, Belgjika , Greqia,  Hungaria, Kina dhe Shqipëria duke i dhënë liri të plotë të shprehen në stilistikë për një skulpturë në hapësirë publike. Këtë edicion, pjesërrja shtohet me dy shtete të reja si Taiwan dhe Qipro.

Me edicionin e 7-të arrihet në një numër prej 47 skulpturash dhe këtë vit pritet që artistët  të punojnë edhe një skulpturë druri,  duke promovuar larminë e materialeve për t’u  dhënë artistëve mundësi të tjera shprehëse me idenë që në të ardhmen do të përdoret dhe metali.

1 -11 korrik 2016, Korçë{:}