Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Letësia është forma më e fuqishme e imagjinatës. Dhe nëse do të besonim atë që ka thënë Ajshtajn, “imagjinata është edhe më e rëndësishme se sa dija”.

Duke e perifrazuar “dija është e kufizuar, ndërsa imagjinata është ajo që i jepë jetë ndryshimit dhe progresit. Është ajo që i jep jetë të ardhmes”.

Jam e sigurt që kur nisi karrierën e tij gjysmëshekullore në moshën 14-vjeçare, Skënder Sherifi me gjasë nuk e kishte imagjinuar të arrinte në lartësinë nga ku e sheh sot veten.

Prandaj, jam e (i) gëzuar kur shoh që autori kaq shumë i vlerësuar jo vetëm nga shoqëria shqiptare e diaspora, por edhe disa nga figurat më të rëndësishme të këtij vendi, si Mojkom Zeqo, Artan Fuga, Përparim Kabo, Edmond Tupja, etj, merr sot këtë tribut në një ambient të ngritur posaçërisht përreth tij në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme.

Duke perifrazuar profesor Fugën, ne sot nderojmë: “Një punë kolosale, një laboratorium të shkrimit poetik, si dhe arkitekturën dhe imagjinatën e pa kufinj të autorit”.

Dy javë më parë, në Teatrin e Operës, MEKI mbështeti vendosjen në skenë të “Liqenit të Mjelmave”, vepër e një tjetër personazhi kolosal, edhe ai frankofon, Angjelin Prelocaj.

Në rastin e Angjelinit, shfaqja ishte triumfi i përsosur i djalit nga Vermoshi, që me forcën e vullnetit ngadhnjeu mbi çdo vështirësi në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa në rastin e Skënderit, tributi i sotëm i bëhet djalit të familjes me biografi “të keqe” nga Tropoja, Plava dhe Gucia, që u largua nga vendi për të jetuar e lirë dhe duke bërë këtë, i dhuroi “pa dashje” diasporës e letrave tona një personazh të jashtëzakonshëm që ka ende shumë për të dhënë, e ka ende shumë për t’u zbuluar.

Dua të theksoj se të dy këto histori, ashtu si edhe dhjetëra, në mos qindra të tjera, na provojnë rolin e pazëvendesueshëm të diasporës në përdishmërinë e jetës sonë.

Është një lloj marrëdhënie, si “Trioja e Përjetshme” e shkruar prej Skënderit (z. Sherifit).

Një trio midis shtetit amë, shtetit ku secili ndërton jetën e tij dhe vetvetes.

Diaspora, që nga koha kur Rilindësit tanë shkruanin se “Dielli i shqiptarit lind nga Perëndimi”, ka qenë dhe mbetet forca më e madhe e progresit në Shqipëri.

Ajo ka mbajtur lart flamurin kombëtar në kohët e izolimit ekstrem, në kohët e vështira që pasuan dhe vijon ta mbajë atë më lart se kurrë edhe sot.

Prandaj, MEKI është shumë entuziaste për projektin e ri që do të lançojë nga 2025, atë të Ditëve Shqiptare nëpër Botë.

Është një model i frymëzuar nga përvoja e suksesshme të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës në Shqipëri, që do të përhapet në vendet më të rëndësishme ku jetojnë shqiptarë.

Suksesi i këtij modeli do të varet nga bashkëpunimi i ngushtë i MEKI-it, Ambasadave dhe komuniteteve të diasporës sonë.

Dua të theksoj gjithashtu një fakt shumë të rëndësishëm, se në realitetin e një vendi që pret 15 milionë turistë në vit, arti nuk mund të vihet më në shërbim eksluziv të argëtimit.

Arti, kinemaja, literatura, piktura, shfaqet e mëdha kombëtare dhe ndërkombetare, në këtë realitet luajnë të gjitha një rol të shumëfishtë, duke u bërë aleate edhe të zhvillimit të qëndrueshëm, punësimit, zhvillimit ekonomik, etj.

Rrjedhimisht, MEKI mbështeti në 2024-n mbi 2.300 ngjarje artistike, 25% më shumë nga një vit më parë dhe në 2025-n synojmë të vendosim një rekord të ri.

Jam e bindur, që do ta kemi shumë më të lehtë t’ia dalim në objektivin tonë, nëse mbështetemi tek mendjet tona dhe penat tona më të ndritura, si ajo e Skënderit.

Dikush, në mbyllje, me të drejtë mund të pyesë: Si ia del dikush të intervistojë 700 ndër personazhet dhe publicistët më të mëdhenj të botës?

Si i dilet të shkruani, në disa gjuhë, mes aq shumë angazhimeve të tjera që ju marrin kohë.

Kjo është një pyetje që do të doja edhe vetë t’ia drejtoja z. Sherifi.

Por, përgjigja që unë imagjinoj është se nuk ishte një punë e përditshme. Ishte një përpjekje kolosale, gjysmëshekullore, ku ditë pas dite vihej një gur i ri.

E pak nga pak, përmes fuqisë së pakufizuar të imagjinatës, vullnetit dhe sakrificës njerëzore, ja ku gur pas guri, sot kemi një kala.

Prandaj, përtej njeriut, pa u zgjatur më tej, iu ftoj që sot të nderojmë edhe shembullin e jashtëzakonshëm që z. Skender Sherifi percjell per ne dhe per te gjithe brezat e ardhshem.

Faleminderit