Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Simpoziumi ndërkombëtar “Skulptura e parkut” nis në Korçë në datat 30 gusht – 10 shtator 2014.

Konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme për qytetin e Korçës  ky aktivitet po kontribuon për ngritjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor, duke regjistruar memorien historike të qytetit, format e ndryshme të shprehjeve artistike edhe duke mundësuar eksperimentet për funksionin që ka vepra e artit në hapësirat e reja urbane.

Artistët pjesëmarrës të këtij simpoziumi ndërkombëtar janë: Ayla Turan, Turqi, Attila Rath Geber, Hungari, Antonis Myrodias, Greqi, Genti Tavanxhiu, Itali.

Zhvillimi i tij bëhet në një ambient të propozuar nga bashkia e qytetit të Korçës dhe mundëson qytetarët të bëhen spektatorë në çfarëdo momenti të punës së skulpturës, të shikojnë se si artistët  një bllok guri e transformojnë pak nga pak në një vepër arti. Ky është  vetëm njëri nga aspektet e simpoziumit mbasi zhvillimi i tij konsiston kryesisht në punën e skulptorëve në kontakt të ngushtë njëri me tjetrin e përballje me të përditshmen. Nga ky aspekt artistëve shqiptare do t’u krijohet mundësia e krahasimit të dijeve ,qoftë në aspektin teknik e teorik si dhe eksperiencash në vite. Do krijohen njohje e miqësi të reja të cilat mund të kthehen në të ardhmen në bashkëpunime serioze.

Në Simpoziumin e vitit 2014 do mbahen edhe laboratorë për fëmijët, në projektin “Të gdhendim të ardhmen“, mbështetur nga MK, prezantuar nga Genti Tavanxhiu.

Ky aktivitet u krijua në vitin 2008, në vitin kur Korça mirëpriti 32 skulptorë nga e gjithë bota, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Portugalia, Greqia, Rumania, Zelanda e Re, Hungaria, Spanja si dhe skulptoreënga Shqipëria, të cilet realizuan 32 vepra të artit bashkëkohor.

Këto skulptura janë vendosur në parkun “Rinia”. I cili është  kthyer në një mjedis të  vizitueshëm, jo vetëm nga qytetarët korçarë, por edhe nga mjaft turistë që vizitojnë qytetin e Korçës.

Skulpturat tashmë janë pasuri e trashëgimisë kulturore në qytet. Ato u gdhendën dhe morën formë në Parkun “Rinia” dhe janë vepra abstrakte që realizohen me gurë të bardhë, me blloqe masive mbi 2 metra, me dimensione dhe forma të paracaktuara nga vetë artistët.

Në këto vepra të artit abstraksionist konkretizohet gjeografia e vendit të origjinës, formimi artistik i skulptorëve, bukuria estetike si dhe miksimi i historisë, misticizmit dhe traditës së popujve.

Ky simpozium ndërkombëtar, në përfundim të projektit arrin të krijojë një galeri natyrore veprash të artit pamor.

Ideuar nga Bashkia e Korçës, ky aktivitet sivjet mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës.

Realizimi i këtij simpoziumi mundësohet edhe nga:
A.I.E.S.M, International Association for Monumental Sculpture Events. www.aiesm.com
ISSA. International Sculpture Symposium Alliance. Tongling, China
MSE.art. Monumental Sculpture in Europe, Italy.
eusculpturesymposium.blogspot.com

Ky Simpozium  Ndërkombëtar është prezantuar dhe regjistruar nga Genti Tavanxhiu në ISSA.  International Sculpture Symposium Alliance, Tongling, Kinë, 2012.
Korçë, 30 gusht-10 shtator 2014
{:}