Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit


Përshëndetje të gjithëve

Ndihem vërtet e gëzuar të marr pjesë përkrah kaq shumë mendjeve të ndritura, në një prej eventeve më të mëdha dedikuar inovacionit të realizuar në vitin 2024 në Shqipëri.

Më kujtohet se Steve Jobs bënte një dallim. “Inovacioni”, thonte ai, “është ajo që diferencon një lider nga një njeri të zakonshëm”.

Prandaj, besoj se nuk ekzagjeroj nëse them që ndiej se jam këtu e rrethuar nga lidera të së ardhmes, si dhe edhe pse të rinj në moshë, edhe shumë lidera të së sotmes.

Jam e privilegjuar të jem mes kaq shumë të rinjsh të talentuar, që kanë forcën, dijen dhe vizionin për t’i dhënë formë botës ashtu siç ata e dëshirojnë përmes teknologjisë.

Pikërisht, duke parë potencialin e jashtëzakonshëm të SLUSH-it, si dhe aftësinë e këtij formati për të tërhequr që në pikënisje investitorë të rëndësishëm potencialë në Shqipëri, AIDA ka pranuar të vendosë emrin e saj përkrah donatorëve të tjerë të rëndësishëm.

Për të gjithë këtë organizim, dua sinqerisht të përgëzoj Boraldën dhe ekipin e saj, që janë një shembull frymëzues i kufinjve të rinj dhe të pashkelur që mund të arrijë mendja njerëzore, me punë, me vullnet e mbi të gjitha, me vizionin e duhur.

Mbështetja e investitorëve të huaj, për ne në Agjensinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve është një përparësi absolute. Është qëllimi për të cilën AIDA është krijuar.

Ndihemi të inkurajuar nga të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë për vitin 2023, kur me 1.5 miliardë euro investime të huaja direkte shënuam një rekord absolut në historinë e vendit.

Të dhënat e 6 muajve të parë të këtij viti sugjerojnë se jemi në rrugën e duhur për të përmirësuar edhe më tej këtë rekord, pasi në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar kemi tërhequr që tani më shumë se 100 milionë euro më tepër.

Megjithatë, ajo që dua të theksoj është se në këtë portofol gjithmonë edhe më të madh investitorësh në Shqipëri vërejmë gjithmonë e më shumë investitorë në fushën e teknologjisë së informacionit, programimit, hi-tech, etj.

Ky është një trend vërtet pozitiv, i cili edhe një herë më shumë konfirmon përparimin e rëndësishëm të kryer nga vendi ynë në këtë sektor, sepse është fakt që deri pak vite më parë, kjo tipologji investitori mungonte pothuajse plotësisht.

Për këtë arsye, vendosja e Tiranës në hartën prestigjioze globale me 130 vende partnere, më shumë se 4 mijë start-up apo mbi 25 mijë pjesëmarrës, i shërben qëllimit tonë për ta bërë Shqipërinë një vend gjithmonë edhe më tërheqës edhe në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

Shndërrimi i Piramidës së Tiranës nga një ngrehinë e braktisur në zemër të kryeqytetit, në qendrën më të madhe dhe më të rëndësishme të inovacionit në Ballkanin Perëndimor ka luajtur një kontribut të rëndësishëm në këtë hap cilësor që kemi hedhur përpara.

Shqipëria është tashmë pozicionuar në një lider rajonal në fushën e inovacionit, kjo falë edhe transformimit të jashtëzakonshëm të ndodhur në portofolin e shërbimeve publike.

Kjo është meritë direkte e e-Albanias, që ka dixhitalizuar mbi 1.300 shërbime publike që tashmë ofrohen 24/7, 365/365, pa kosto dhe në kohë reale për qytetarin.

Por, e-Albania është vetëm maja e ajsbergut.

Kemi punuar me vendosmëri, duke mbështetur me grante, thirrje direkte apo lehtësira fiskale start-apet në fushën e teknologjisë.

Kemi mbështetur drejtpërsëdrejti sipërmarrësit e rinj.

Kemi përfshirë Inteligjencën Artificiale, veçanërisht në Tiranë, për të ofruar zgjidhje të zgjuara në lidhje me transportin, manaxhimin e mbetjeve urbane apo për të përmirësuar efiçencën energjitike.

Kemi rritur bashkëpunimet ndërqeveritare për të rritur sigurinë tonë në fushën e sigurisë kibernetike.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka udhëhequr me shumë sukses deri tani një reform të thellë të sistemit tonë të arsimit profesional, duke e bërë atë gjithmonë e më të orientuar nga teknologjia, e duke garantuar në këtë mënyrë mbështetjen qeveritare për krijimin e brezit të ri të inovatorëve.

Si dhe janë realizuar ndryshime ligjore, për të mbështetur edhe më tej ambientin e biznesit dixhital dhe për të lehtësuar inovacionin.

 

E gjithë kjo punë ecën paralel me vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen tonë. Atë të një vendi të zhvilluar, Europian, ku zgjidhjet dixhitale dhe teknologjia të jenë gjithmonë e më të pranishme, për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën tonë.

Pa dashur të marrë më shumë kohë nga kjo ditë që duhet të jetë sa më pak e jona dhe sa më shumë e juaja, dua të nënvizoj se në asnjë fushë tjetër, nuk ka kaq shumë vend për të gjithë.

Bota e inovacionit dhe teknologjisë është një univers unikal, në zgjerim të vazhdueshëm. Një univers ku edhe ne kemi gjurmët tona.

Ku kemi shembuj të mrekullueshëm, me Mira Muratin mbase shembullin më të spikatur, edhe ajo një vajzë që nga Vlora përfundoi në bordin themelues të ChatGPT dhe është sot një prej 100 grave më të pushteteshme të botës.

Dhe e gjithë kjo na bën të besojmë se aty, pas derës, ka shumë Mira të tjera apo Miri të tjerë, që vetëm presin shansin e tyre për të shkëlqyer.

Edhe një herë më shumë, falenderoj ekipin organizues për ftesën dhe ju uroj sukses në këto ditë të mbushura me SLUSH!