Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Këtë javë në Teatrin Kombëtar  do të shfaqet premierë komedia “Spiuni i Ballkanit” e autorit Dushan Kovaçeviç, dramaturgu më i njohur serb i cili ka arritur të ndërtojë një dramë familjare, plot humor dhe batuta të ndërthurura mjeshtërisht edhe pse me pak personazhe, duke e rritur shkallën e tensionit deri në kufijtë ku përfshirja e publikut në shtjellën e ankthit është e pashmangshme.

Tema që trajton këtë herë pjesa teatrore “Spiuni i Ballkanit” është frika, një individ i frustruar nga e kaluara e tij. “Në vepër është individi i frustruar nga e kaluara e tij, i cili kthehet në një paranonjak, ndaj një informacioni të thjeshtë që i është kërkuar. Pra i kërkohet informacion për dikë dhe atij i kthehet në makth gjithçka”, tregon regjisori Spiro Duni mbi pjesën teatrore që do të vijë në TK. Kovaçeviçi merret me fatin e personazheve, njerëz të alarmuar që e bartin me vetë të shkuarën e tyre. Në mos të shkuarën, frikën e rikthimit apo hijen që ajo u lëshon ende edhe pse jetojnë në një tjetër kohë.

Personazhet e këtyre veprave të tij, sikurse dhe në këtë vepër konkretisht janë njerëz dyshimtarë, shpeshherë haluçinantë. Njerëz të cilët dukshëm liria nuk i ka çliruar nga persekutimi i dikurshëm. Ka mes tyre nga ata që e kanë nostalgji perverse ende zellin të vazhdojnë si për inerci ndikimin  e asaj kohe, siç ka mes tyre dhe nga ata që duke harruar këtë plagë të atyre që i rrethojnë, i kapërcejnë me shkujdesje situatat, që më vonë do të kthehen në Bumerang .

Me një kast aktorësh të njohur si: Ndriçim Xhepa,Albano Prodani, Maya Alickaj, Besmir Bitraku, Alesia Xhemalaj Me regji nga Spiro Duni,Skenograf dhe kostumograf: Fatbardh Marku, Kompozitor: Klement Marku, As/ regjisor: Pëllumb Dervishi dhe Genti Deçka.

14, 15 nëntor, ora 19:00, TK{:}