Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, është zbuluar varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri, me përmasa mbresëlënëse dhe elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë.

Monumenti (rreth 9 m x 6 m, me dhomë funerare 2.40 m të lartë) ka dalë në dritë me një mbishkrim bilingual romak, kushtuar individit të varrosur – Gelliano-s – dhe perëndisë Jupiter. Ky është mbishkrimi i parë i këtij lloji i zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës.

Varri, i konceptuar me tre ambiente (dhomë varrimi, paradhomë dhe shkallare monumentale), ka ruajtur pjesë të inventarit arkeologjik: enë qelqi, objekte kocke, armë, si dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, dëshmi e statusit të lartë të të ndjerit.

Strukturat e sipërme sugjerojnë se monumenti ka pasur tipologjinë e një mausoleumi, duke e bërë këtë zbulim të pazëvendësueshëm për studimin e prapaktokës romake në Shqipëri.

Për shkak të rëndësisë së veçantë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe në koordinim me Institutin e Arkeologjisë, do të ndjekin procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik.

MEKI, IKTK dhe Instituti i Arkeologjisë do të vijojnë të mbështesin kërkimet shkencore që pasurojnë gjithnjë e më shumë hartën arkeologjike të vendit tonë.