Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Një takim i frytshëm u zhvillua mes Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Ambasadorit të Bullgarisë në Shqipëri, z. Ivaylo Kirov, së bashku me përfaqësues shqiptarë, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.

Në qendër të bisedës ishin temat që lidhen me klimën gjithnjë e më të favorshme që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, si dhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ekonomik me vende partnere si Bullgaria. U theksua gjithashtu roli kyç i inovacionit si motor i zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe mundësitë për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fushat e industrive krijuese dhe trashëgimisë kulturore.

Të dy palët ndanë vlerësimin për rëndësinë e forcimit të lidhjeve dypalëshe dhe shprehën gatishmërinë për të avancuar me projekte konkrete që sjellin përfitime afatgjata për të dy vendet dhe shoqëritë respektive. Ky takim konfirmoi vullnetin e përbashkët për të çuar përpara një agjendë bashkëpunimi të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe afrimit të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.