Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kuadër të bashkëpunimit strategjik ndërmjet institucioneve kulturore shqiptare dhe atyre italiane, Ministri Blendi Gonxhja së bashku me përfaqësues të MEKI, mirëpritën delegacionin e nivelit të lartë nga MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI, Ministria e Jashtme Italiane, Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës.

Takimi vuri theksin në rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e menaxhimit të institucioneve muzeale bashkëkohore dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme bashkëpunimi që do të shërbejnë si themel për zhvillimin e Muzeut të ardhshëm Kombëtar të Arteve të Bukura të Shqipërisë.

Ky bashkëpunim synon të mundësojë akses në praktikat më të mira evropiane në fushat e ekspozimit artistik, ruajtjes së trashëgimisë muzeale, digjitalizimit të arkivave dhe promovimit të artit bashkëkohor.

Në këtë kuadër, një rol të veçantë zënë programet e përbashkëta të trajnimit, shkëmbimi i eksperiencave dhe ekspertizës mes institucioneve tona, një qasje që garanton jo vetëm përfitim të ndërsjellë, por edhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e kulturës.