Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në vijim të zbatimit të politikave që Ministria e Kulturës ka në fushën e librit, shpall muajin tetor muaj të leximit duke organizuar  Fushatën Kombëtare të Leximit, nën moton “Takohemi për një Libër”.

Kjo fushatë leximi synon  të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit.

Gjatë muajit tetor e gjithë Shqipëria do të përfshihet në realizimin e shumë veprimtarive të programuara  jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por edhe nga të tjera institucione të artit, kulturës dhe edukimit.

Pjesë e kësaj fushate do të jenë projekte të ideuara nga Ministria e Kulturës, si:

“Personazhet lexojnë”, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Çdo të shtunë personazhet e librave ju presin nëpër parqe: Ana Karenina, Don Kishoti, Hamleti, Piter Pani, apo Doruntina do të lexojnë për ju pjesë nga libri që përfaqësojnë. Aktorë në rolin e personazheve të veprave më të njohura të letërsisë botërore dhe shqiptare do të zhvillohen lexime publike në parqet dhe lulishtet e qytetit të Tiranës.

“Rijetëzimi i bibliotekave publike të qytetit të Tiranës”, projekti do të japë ndihmesë në pasurimin e titujve dhe sasisë së librave në bibliotekat publike me qëllim gjallërimin e veprimtarive dhe frekuentuesve të këtyre bibliotekave, si dhe për një nxitje të mëtejshme të fushatës për leximin.

“Unë lexoj” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në çdo shkollë, në të gjithë vendin do të realizohen lexime të veprave letrare. Në të njëjtën periudhë kohore do të realizohet një tjetër veprimtari me objekt raportin autor – vepër, veprimtari kjo në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë etj.

 

Një tjetër pikë kulminante në ketë fushatë është edhe java e kremtimit të ditëlindjes së 85 – të  së Dritëro Agollit, javë e cila do të zhvillohet në bashkëpunim me AQSHF, Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar.

 

Fushata Kombëtare e Leximit do të përmbajë edhe konkurse si:

 

-“Little Free Library në Shqipëri” nën moton: Ngri  një bibliotekë të vogël për të gjithë, fito një bibliotekë të madhe për vete. Konkursi synon përhapjen në Shqipëri të Minibibliotekave Kreative. Kush krijon minibibliotekën më kreative do të fitojë një sasi me libra.

 

“AlbFotoBook Nisma në rrjetet sociale: Facebook, Tëitter, me  hashtagun #AlbFotobook dhe @Takohemipërnjëlibër konsiston në fotografimin e librit dhe të personave që lexojnë në vende të ndryshme publike.

Tetor 2016- Në të gjithë Shqipërinë{:}