Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Me praninë e Kryeministrit të vendit Z. Edi Rama, Ministrit të Brendshëm Z. Saimir Tahiri dhe Ministres së Kulturës Znj. Mirela Kumbaro Furxhi në Galerinë Kombëtare të Arteve u ekspozuan veprat e artit të sekuestruara nga operacioni i Policisë së Tiranës. Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij tha se; “Operacioni ishte i jashtëzakonshëm, më i madhi në këtë fushë, gjatë të gjithë këtyre viteve të shkatërrimit të trashëgimisë tonë kulturore”.

Ndërsa Ministrja e Kulturës u shpreh se: “Ky operacion i jashtëzakonshëm tregoi bashkëpunimin e menjëhershëm të forcave të policisë dhe strukturave të tjera. Ky është një nga operacionet  e para për të ndërtuar ura bashkëpunimi të sektorit të trashëgimisë kulturore, dhe për të ndalur luftën kundër trafikut të trashëgimisë kulturore.

Janë një sërë veprash të tjera që vazhdojne të jenë të rrezikuara dhe ministria e Kulturës ka nisur një fushatë sensibilizimi.”
E rëndësishme është që këto vlera të jashtëzakonshme e shumë të rrezikuara ndodhen në institucionin publik të kulturës.Falenderoj punonjësit e policisë, fjalët janë të panevojshme. Një pasuri e jashtëzakonshme që ikte nga vendi, ”, tha Znj. Mirela Kumbaro.
Shumica e veprave murale janë të dëmtuara. Vjedhjet janë kryer gjatë disa viteve edhe në Maqedoni e Korçë.
Në këtë situatë emergjente është ngritur grupi i ekspertëve me specialistë të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, specialistë nga IMK-ja dhe specialistë të Drejtorisë së Trashëgimisë Materiale në Ministrinë e Kulturës.

Ekspertët do të analizojnë një nga një të gjitha veprat për të zbuluar origjinën. Procesi i parë do të jetë verifikimi. Nga verifikimet deri në këto momente mund të thuhet se objektet e artit janë: Ikona, afreske dhe objekte kulti, kryesisht të periudhës bizantine dhe mesjetës.

Në një fazë të dytë të verifikimit objektet e sekuestruara do të fotografohen dhe në fund identifikimi i tyre i plotë. Specialistët pohojnë se disa nga objektet e artit të sekuestruara janë te njohura prej tyre, pasi koleksionistët kanë kërkuar regjistrimin e disa prej tyre në QKIPK-së, ku për arsye të dyshimit të origjinës së objektit ky proces regjistrimi nuk është kryer.

Verifikimi dhe identifikimi i plotë i objekteve të artit të sekuestruara është në process hetimi.{:}