Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ekspozita XV Ndërkombëtare e Arkitekturës – Bienale e Venecias 2016

 

Thirrje për Projekte:

Pavijoni Shqiptar

në Bienalen e Venecias, 2016

 

Në kuadrin e Bienales  së ardhshme  Ndërkombëtare  të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun më 26 maj – 27 nëntor 2016, me temë:

“Raportim nga Fronti”

Tema e kësaj Bienaleje “ Raportim  nga Fronti” fton vendet pjesëmarrëse që përmes komunitetit  te arkitektëve, artistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë  civile të prezantojnë qasjen e tyre ndaj problemeve komplekse të lidhura me arkitekturën e ditëve të sotme. Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës për vitin 2016 synon të jetë arena e shprehjes e të gjithë atyre zërave që guxojnë të japin zgjidhje për problemet urbane të arkitekturës (një përballje midis arkitekturës në dobi të individit dhe arkitekturës si e mirë publike), dhe jo thjesht të kritikojnë apo të bëjnë analiza dhe  teori mbi situatën. Vizitorët duhet të vijnë për të parë histori suksesi ku arkitektura ka bërë, po bën dhe do të bëjë ndryshimin duke e fituar betejën dhe duke i zgjeruar kufijtë.

Tema e Bienales është përzgjedhur nga Kuratori  i edicionit të 15-të të Bienales së Venecias, arkitektit kilian Alejandro Aravena: “Ka ende shumë beteja që duhen fituar dhe shumë kufij që duhen shtyrë për të përmirësuar cilësinë e mjedisit urban dhe, rrjedhimisht, cilësinë e jetesës së njerëzve. Gjithmonë e më shumë njerëz në botë janë në kërkim të një hapësire të denjë për të jetuar dhe kushtet për të realizuar këtë synim po bëhen gjithmonë e më të vështira. Çdo përpjekje për një qasje ndryshe has në rezistencë të fortë të realitetit të përditshëm…. Ekspozita synon  mësimin prej arkitekturave, të cilat nëpërmjet inteligjencës, intuitës apo të dyjave bashkë, ia dalin t’i shpëtojnë status-quo-së. Kjo është ajo që unë do të doja të shihja në këtë edicion të 15-të: histori suksesi që meritojnë të thuhen dhe shembuj që vlejnë të ndahen me të tjerët, ku arkitektura ka bërë dhe do të bëjë ndryshimin në këto kufij”.

 

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

  1. PROFILI I KANDIDATËVE
  1. Të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre arkitekt (drejtuesi), artistë, grafic designer, kritikë etj.
  2. Të dëshmojnë njohuri të mira mbi arkitekturën shqiptare.
  3. Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhit e cila do të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.
  4. Mund të jenë shqiptarë apo të huaj.

 

  1. KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:
  1. Të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent.
  2. Të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të shkruar për panelet e ekspozitës.
  3. Të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales.
  4. Të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .

 

  1. PËRZGJEDHJA DO TË KALOJË NËPËR DY FAZA:

Faza I: është faza e përzgjedhjes së projekt-ideve më të mira. Kjo fazë është e hapur deri më 16 tetor 2015 ora 24.00.

Shpallja e fituesve të Fazës I: Juria do të bëjë  përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 23 tetor 2015.

Faza II : është faza e paraqitjes së projekteve të plota të pavionit shqiptar në Bienale mbi projekt-idetë e kualifikuar në fazën e parë. Këto projekte duhet të paraqiten deri me datë 13 Nëntor ora 24.00. Juria do të shpallë kërkesat mbi paraqitjen e projektit të plotë menjëherë pas shpalljes së fituesve të fazës së parë.

Shpallja e fituesit : Ekipi fitues do te shpallet brenda datës 20 Nëntor 2015.

 

  1. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një  juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

  1. Qartësinë e projekt-idesë
  2. Forcën e imagjinatës
  3. Potencialin e zgjidhjes kuratoriale për të komunikuar me publikun
  4. Qartësinë e temës dhe potencialin e të bërit të prekshëm, të dukshëm dhe të komunikueshëm të temës.
  5. Fuqinë artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer” në një gjuhë dhe peisazh vizualisht të fortë
  6. Fuqinë e ekipit/skuadrës për të reflektuar gjerësisht dhe thellësisht mbi temën e dhënë  dhe për të sjellë risi në përmbajtje.
  7. Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar arkitekturën tek audienca dhe kritikët si dhe për të zhvilluar audienca të reja.

 

  1. DOSJA E KANDIDIMIT PËR FAZËN I:

 

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:

  1. Formularin e kandidimit (shkarkojeni KETU)
  2. Një sinopsis  të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjale)
  3. Metodën e  hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
  4. Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten
  5. Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
  6. CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).

 

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata  ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i përgjithshëm i Bienales së 15-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2016,  http://www.labiennale.org

 

  1. TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

 

Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale me një sipërfaqe prej 100 m2. Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden KETU.

 

  1. Dorëzimi i dosjes:

Dosja duhet :

  1. të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht
  2. të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe dixhitale) në vëmendje të Sekretarisë Teknike të Bienales 2016  në adresën : Ministria e Kulturës, Rruga Aleksandër Moisiu, nr 76, ish Kinostudio “Shqipëria e Re”  Tiranë
  3. të dërgohet elektronikisht në adresën: bienale2016@kultura.gov.al
  4. të dërgohet brenda datës 16 tetor 2015 ora 24.00 (faza I).

 

 

© Ministria e Kulturës e Shqipërisë{:}