Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

Nga Mirela Kumbaro

“Art, libra, muzikë, film, opera, edukim dhe jo vetëm, vështirë t’i bësh të gjitha bashkë në një skenë, në një qytet, në një javë.

Por vështirë t’i qëndrosh tundimit, dëshirës, gjakimit, pasionit për t’u përballur me këtë sfidë.

E pra, kur bëhen bashkë një grup njerëzish që duan të shkojnë përtej kufijëve të qytetit, përtej paragjykimeve të grupit, përtej barrierave të mendimit mund të prodhohet një Festival i Hapur ku ka vend për të gjithë e për gjithçka.

Ky qytet që ka katërfishuar popullsinë e vet në mbi njëzet vjet, ka një energji të pashterrshme që, jo rrallë, s’ka pasur ku e si ta shprehë, ka një rini plot talente dhe ide të reja që edhe kur s’ka kushte e gjen dritaren për të folur.

 

TiranaOpen është një nga ato hapësira ku gjinitë e ndryshme të artit, artistët e ndryshëm të Qytetit, skenat e vogla e të mëdha, aktorë kulturorë vendas e të huaj, mund të takohen, kryqëzohen e sfidojnë bukur njëri-tjetrin.

 

Me Tiranën e Hapur, Qyteti fton publikun dhe kulturën të dialogojnë pëmes librit si vlerë e jo thjesht si mall, mes artit pamor që mëton një treg të ri vlerash, mes muzikës që guxon të trokasë me zërin e dramës, mes filmit që vjen si konkurrencë e jo si ekran pasiv, mes ariktekturës si kulturë e trashëguar por edhe si laborator eksperimental kontestator.

 

Emra të njohur, të ftuar specialë, artistë të guxmishëm, institucione publike, skena të pavarura, nisma private, publik i ri, vështrime sfiduese, kritikë tradicionalë, skeptikë profesionistë, pena të parehatuara, xhelozë inkurajues, spektatorë duarkryq, kalimtarë të rastësishëm në kryeqytet, tifozë parrullash, dashamirës të sokaqeve sociale, “voyeurs” virtualë e energjikë, të mirëseardhur në kërkim të vetvetes, gazetarë e amatorë të apasionuar, shëtitës pas pune e kureshtarë të dritareve të hapura, ëndërrimtarë optimistë, të gjithë janë të ftuar në TiranaOpen!

 

Ky qytet, ashtu si e duam të jetë, ka vend për të gjithë! TiranaOpen është një ftesë e hapur kulturore, ku Ministria e Kulturës është e lumtur që, siç ka inkurajuar qysh se u krijua si Ministri e dedikuar për kulturën, vijon të mbështesë  nisma të guxmishme dhe skena alternative të kulturës së qytetit ku po fryjnë erërat e Shqipërisë së Brezit Tjetër!”.

6-13 maj , www.tiranaopen.org{:}