Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nga skena e Arturbina do të nisë më 20 mars edicioni i dytë i teatrove mes gjimnazeve të Tiranës. 10 gjimnaze të Tiranës ngjisin në skenën e teatrit 10 shfaqje nga repertori i huaj dhe ai shqiptar. Në prezantimin e këtij projekti Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se ” Ky festival sjell një energji të jashtëzakonshme të rinjsh dhe është një mundësi e re drejt së ardhmes. Është shumë kënaqësi që shikoj brezin e ri, që ka një lloj entuziazmi, që vjen nga arti dhe kultura. Është një mundësi shumë e mirë që Ministria e Kulturës ka nisur këtë projekt”.

Gjimnazistët e dhjetë shkollave në Tiranë, do të ngjisin në skenën e teatrit shfaqje, si “Loja e dashurisë dhe rastësisë”, “Shtëpi kukulle”, “Testamenti”, “Përtej horizontit” edhe të tjera, nën udhëheqjen e regjisorëve të rinj. Festivali u jep mundësinë, të gjithë të rinjve, që kanë talent dhe dëshirë për t’u marrë me art, që t’i zhvillojnë më tej njohuritë e tyre. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, mirëpret gjimnazistët, duke u uruar mirëseardhjen në teatër

“Mendojmë që pas Festivalit në shtator, të nisim me konceptin e studios eksperimentale. Kjo do të thotë që ne të krijojmë skena paralele me artistë, që do të bëhen pjesë e teatrit, paralelisht me artistët profesionistë në skenë”, shprehet drejtori Hervin Çuli.

Gjergj Mena, drejtor artistik i festivalit falenderoi pjesëmarrësit, regjisorët e rinj për përkushtimin dhe angazhimin në këtë garë të bukur.

Regjisorët e rinj që po punojnë në dhjetë shkolla të kryeqytetit, janë: Ledjan Gjeçi – “Arben Broci”, Algiona Aga – “Sami Frashëri”, Alba Shtembari – “Petro Nini Luarasi”, Deljana Topulli – “Aleks Buda”, Ledio Shehaj – “Andon Zako Çajupi”, Albi Dhima – “Qemal Stafa”, Françeska Hysi – “Ismail Qemali”, Marsel Greva – “Partizani”, Xhuliano Brisku – “Besnik Sykja”, Emiljano Bufazi – “Abdulla Keta”.

TK RIN ART organizohet nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me MAS dhe do të mbahet në datat 2- mars- 2 prill 2019 në skenën arTurbina, Tiranë.{:}