Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Sot në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u bë publike shpallja e fituesve të fazës së parë të projektit “Punishtja e dramës shqipe 1”.

Ky projekt, i cili u prezantua në muajin dhjetor 2014, shënon njëkohësisht hapjen e laboratorit  krijues   të TKE “Kujtim Spahivogli”.

“Punishja e dramës shqipe 1” tenton të mbledhë dhe të bëjë produktivë  të rinj me interesa në fushë të krijimtarisë dramatike, që kanë mbaruar shkollën e lartë për teatër, letërsi a shkenca shoqërore dhe që duan të mësojnë artin e shkrimit dramatik.  ‘Punishtja’,  ka si objektiv të edukojë artistikisht në fushë të shkrimit dramatic, nëpërmjet seancave të shkrimit dhe konsultimeve teknike. Synon të realizojë ngritje kapacitetesh njerëzore në fushë të shkrimit për teatrin, nëpërmjet bisedave dhe konsultimeve  me tekstet bashkëkohore në fushë të teknikave dhe teknologjive të shkrimit.  Tenton të rrisë dhe të zhvillojë  audiencat,  nëpërmjet leximeve skenike dhe organizimit të dialogut krijues.

Në këtë  projekt aplikuan 15 pjesëmarrës me sinopset e pjesëve,  që në fazat e mëvonshme do të hartojnë  tekstin përfundimtar të dramës.
Juria,  që vlerësoi  sinopset është ngritur me pjesëmarrjen e  Stefan Çapalikut, regjisor, dramaturg,  Alida Cenajt, gazetare – kryetare e bordit artistik të TKEKS-së  dhe Gjergj Prevazit, koregoraf, regjisor.

Pas vlerësimit të jurisë u shpallën  fitues:
1. Oltion Kadaifçiu – me sinopsin “Sokoli”. Ka mbaruar studimet për shkenca sociale.
2. Rogerta Nikolla – me sinopsin “Bijë e zotërve modernë”. Ka mbaruar studimet per regji teatri.
3. Elona Çuliq – me sinopsin “LibërNgranësi”. Ka mbaruar studimet per psikologji, poete.
4. Lisandir Kola – me sinopsin“Zhguni”.  Ka mbaruar studimet për  letërsi.
5. Marsel Rupi – me sinopsin “Kërkohet një Kryeministër”. Ka mbaruar studimet për regji teatri.

Nga dita e hënë autorët e projekteve fituese do të fillojnë punën për fazën e dytë të projektit.{:}