Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Pas 5 vjetësh ndërprerje, Muzeu Arkeologjik i Durrësit u hap sot për publikun, i rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri.
Në ceremoni, merrte pjesë Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuar të tjerë.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të rëndësishme për trashëgiminë kombëtare. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj u shpreh se “Durrësi ynë, nën mbrojtjen e perëndeshës së vet Artemis, do tërheqë më shumë vizitorë se ka më shumë bukuri për të treguar në kulturë dhe në qytet. Dyert e Adriatikut janë hapur!”.
Vitin e kaluar, me nismë të Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkinë e Durrësit, nisi rikontruksioni i muzeut dhe më pas, puna për muzealizimin, restaurimi i objekteve arkeologjike dhe ekspozimi i tyre.
Prej nje viti grupi i punës nga Ministria e Kulturës, evidentoi problematika të shumta në ambientet e brendshme, ku objektet arkeologjike ishin të shpërndara në mënyre kaotike dhe të pa trajtuara, gjithashtu në ambientet e jashtme paraqitej e njëjta problematikë. Objektet, që tashmë janë koleksione muzeale dinjitoze, kaluan të gjithë procesin e pastrimit, konservimit, restaurimit, katalogimit dhe inventarizimit të tyre, procese që nuk ishin kryer në 60 vjet, që nga zbulimi I tyre. Muzeu Arkeologji i Durrësit ka një fond prej 3204 objektesh, nga të cilat 2400 janë të ekspozuara sot, ndërsa faza e dytë, me muzealizimin e objekteve të tjera, do të vijojë vitin tjetër.
Ministrja Kumbaro njoftoi se, gjithashtu, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, po përgatitet një version i ekspozitës arkeologjike edhe për vizitorët e verbër, një mundësi e re kjo në Shqipëri.
Gjatë vitit 2014, falë punës së bërë, është vërejtur dyfishim i numrit të vizitorëve objektet e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin.

Foto© Adnan Beci{:}