Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

30 minuta duartrokitje për sopranon Ermonela Jaho. Premiera e operas “Madam Butterfly” i tejkaloi parashikimet.  Performanca e sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho u prit me një lumë duartrokitjesh nga publiku i pranishëm në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë premierës së operës “Madam Butterfly”. Një ngjarje për t’u shënuar në kalendarin artistik të Tiranës.

Ajo që sjell soprano  Ermonela  Jaho në skenën shqiptare është diçka e re, diçka e dallueshme, e veçantë.  Në premierën e 3 prillit, ajo e mbajti publikun  pezull, në ajër, me frymë të ndalur. Zëri i saj i kthjellët, magjik, deri në prekje fundore të çdo ndjenje njerëzore me timbrin e tij është në një harmoni gati hyjnore me orkestrën, levizjet skenike, dekorin, dritat.

Në konferencën për shtyp në Tiranë, Jaho u shpreh se “Me “Madam  Butterfly”, e djeshmja më ka tingëlluar pak si e dhënë, sepse jam kthyer në vendim tim dhe kjo është shumë emocionuese. Me të gjithë kolegët flisnim të njëjtën gjuhë, ka qenë një emocion i përbashkët. Sepse kur je  në vendin tënd me artistë që flasin njëlloj me ty, kjo është një gjë e veçantë, që me fjalë nuk mund ta shpjegoj dot, sepse kam qenë e emocionuar gjatë gjithë interpretimit”. Arsyeja pse Jaho ka zgjedhur që të interpretojë këtë operë është sepse te “Madama Butterfly” gjen të mishëruar femrën shqiptare, vështirësitë dhe sakrificat që kalon ajo. “Përzgjedhja e kësaj pjese ka të bëjë me arsye sentimentale. Por realizimi i saj konkret mu bë vetëm falë mbështetjes edhe nga Teatri i Operës dhe Baletit. Janë   këto arsyet përse unë e kam zgjedhur, por edhe sepse është një rol shumë dramatik dhe emocional. Unë mendoj se ne shqiptarët jemi kaq dramatikë dhe emocionalë, saqë në art këto cilësi japin një ndikim shumë të fortë, ndërsa për në fushat e tjera nuk mund të flas. Këtu flitet në gjuhën e zemrës, prandaj mendoj se,   nëpërmjet kësaj opere do të prezantohen të gjitha femrat shqiptare”.

Sopranoja shqiptare  mbajti mbi supet e saj peshën e së gjithë shfaqjes, dramën dhe pasionin. Ishte një surprizë qiellore paraqitja e saj në operan “Madam Butterfly”. Zëri i saj  i fuqishëm dhe me një timbër të bukur, solemn si edhe të gdhendur në regjistrin e ulët. Ajo mishëroi rolin me një pjekuri mahnitëse e marramendëse sa i takon vërtetësisë, por edhe me intensitet gjithë pasionin si edhe njësimin me rolin e CioCio-San . Shfaqja e premierës ishte një triumf i padiskutueshëm, ku spektatori shpërtheu në duartrokitje, bashkë me reflektimin individual të çdo njeriu që gjendet në sallë . Një triumf i padiskutueshëm.  Premiera e operas “Madam Butterfly” në sallën e TKOB-së ishte një lloj ndërthurje ndjesish,  një lloj katharsisi ku çdo njeri e gjen veten në mënyrën e vet, një lloj meditimi emocional që përkthehet në lotë dhimbjeje, dashuri njerëzore, hyjnizim artisti, dëshirë për të parë mbrapa tek e kaluara e vetvetes.  Ovacionet  e publikut për Ermonela Jahon  do të mbahen mend gjatë në historinë e skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit.

Foto: Erion Kovaçi{:}