Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Njoftim në vijim të vendimeve të fundit të KKT, lidhur me marrjen e nismës për hartimin e planit të Përgjithshëm të territorit, dhe pezullimin  e dhënieve te lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore. Këtu nuk janë vetëm objektet e trashëgimisë si të tilla, por edhe hapësira rreth tyre, e cila duhet  parë si pasuri publike që duhet ruajtur me fanatizëm,  si pjesë përbërëse e panoramës dhe e peizazhit natyror, i cili ndihmon në ruajtjen dhe evidentimin e Trashëgimise Kulturore.

 

Sot kemi një pamje fort të cënuar, të dëmtuar,  të kësaj hapësire, jo vetëm si pasojë e lejimit të ndërtimeve abuzive rreth, apo brenda tyre, por edhe si pasojë e shkeljeve të ligjeve e rregullave ekzistuese,

të cilat ndalojne shprehimisht ndërtimin në zonat e mbrojtura me ligj si qendra historike,  zona arkeologjike, kala etj.

 

Pezullimi i dhënieve të lejeve zhvillimore që prekin zonat e e Trashëgimisë Kulturore do të frenojë këtë cënim me pasoja shpesh të pakthyeshme, që i rëndojnë fort kulturës së sotme dhe kujtesës së ardhshme.

 

Ky vendim vjen në vazhdim të dy momenteve kyç të dy javëve  pararendëse:

1. Që në ditët e para të marrjes së funksionit, Ministria e re e Kulturës, ka filluar analizën e dokumentacionit të vendimeve të marra nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, duke mos avancuar me vendimmarrje te reja. Kjo i është bërë menjëherë e ditur të gjitha njësive të pushtetit vendor, që për një kohë të shkurtër nuk do të ketë shqyrtime të reja të projekteve, pasi kjo analizë do të shpjerë shumë shpejt në riformatimin e KKR dhe në vendosjen e rregullave të reja, në respekt të plotë të ligjit, të vendimarrjes kolegjiale dhe të transparences së plotë të vendimeve të KKR dhe të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

 

 

 

 

2. Momenti i dytë është vendimi i mbledhjes së mëparshme të KKT për moratoriumin që ndalon çdo lloj ndërtimi në qendrat historike Krujë, Berat, Gjirokastër.

 

Deri në mbarimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj të varësisë, do të bëjnë evidentimin dhe përditësimin e të dhënave për monumentet e kulturës, zonat muze, ansambël muze, qendra historike dhe parqet arkeologjike, si dhe do të përcaktojë rregullat që kanë ndikim në planifikimin e territorit për secilën kategori.

Kjo bën të domosdoshme :

– Rishikimin e të gjitha vendimeve dhe të kuadrit ligjor që rregullon administrimin e trashëgimisë kulturore në këto zona.

– Përcaktimin e kompetencave të qarta të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, të cilat nuk duhet të veprojnë në bazë të vullneteve individuale dhe as të interesave të ditës, por si rezultat i kuadrit ligjor, vendimeve kolegjiale dhe afatgjata të eksperteve të fushës.

– një reformë në sistemin e administrimit të TK për një menaxhim më të mirë territorial, për rritje të përgjegjësisë së aktorëve në terren dhe për një mbulim më të plotë të territorit.{:}