Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Virgjëresha e betuar” hyn në konkurrencë zyrtare në Berlinale. “Virgjëresha e betuar”, një film me temë shqiptare garon për “Ariun e Artë” në Berlinalen e Filmit 2015, i cili do të mbahet prej 5 -15 shkurt 2015 në Berlin.  Filmi me metrazh të gjatë “Virgjëresha e betuar” mban firmën e autorëve italianë Laura Bispuri dhe Françeska Manieri, me regji të Laura Bispurit dhe me aktorët: Alba Rohrëacher, Lars Eidinger, Flonja Kodheli, Luan Jaha, Emily Ferratello, Luan Jaha e Ilire Vinca Çelaj.
Premiera botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit do të mbahet në datën 12 shkurt 2015. “Virgjëresha e betuar” është filmi i parë i mbështetur nga QKK-Kosovë, që hyn në konkurrencë zyrtare në Berlinale.

Berlinalja shpalli listën e 23 filmave që do të marrin pjesë në këtë festival të 65-të ndërkombëtar filmi, 19 nga të cilët do të garojnë për “Ariun e Artë” dhe “Ariun e Argjendtë”.
Filmi me skenar të italianes Laura Bispuri mbështetet në romanin “Hana” të autores shqiptare Elvira Dones. Filmi flet për Hana Dodën, e cila ende një vajzë e vogёl, braktis fatin e saj për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar kjo pёr gratë në malet e ashpra të Shqipërisë. Duke ndjekur udhëzimet e ungjit të saj, i bindet ligjit tё vjetër të Kanunit, i cili i jep grave mundёsinё për të jetuar të lirë si burrat dhe pasur një pushkë, duke marrë në kёmbim betimin e virgjërisë të përjetshme. Për të gjithë Hana – Marku, bëhet një “virgjëreshë e betuar”.
“Virgjëresha e betuar” është bashkëprodhim i Italisë (Vivo Film, Colorado Film Production), Kosovës (Era Film), Shqipërisë (Era Film), Zvicrës (Bord Cadre Film), Gjermanisë (Match Factory). Është i financuar nga Ministria e Kulturës në Itali, Qendra Kinematografike e Kosovës, Euroimages dhe nga Media Programme (Komuniteti Europian). I mbështetur nga televizionet RSI (Radio Televizioni Zviceran) dhe RAI CINEMA (Radio Televizioni Italian).
Shqipëria do të përfaqësohet në Berlin me stendën e përbashkët me Kosovën, ku do të prezantohen disa projekte filmike në zhvillim, që kanë marrë mbështetje nga QKK –të e Kosovës dhe Shqipërisë.
Website: https://www.berlinale.de/en/presse/pressemitteilungen/alle/Alle-Detail_26644.html{:}