Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në datat 16 dhe 17 qershor 2014 do të zhvillojë një vizitë pune në Torino. Priten takime të rëndësishme dhe të vlefshme për marrëveshje dypalëshe në fushën e kulturës si takimi me Kryetarin e Bashkisë së Torinos, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Bashkive Italiane (ANCI) Piero Fassino, i shoqëruar nga Asesori i Kulturës, Maurizio Braccialarghe.

Në fund të takimit është parashikuar një prononcim për shtyp i Ministres Kumbaro dhe i Kryetarit Fassino për mediat e pranishme.

Takime të tjera të rëndësishme do të jenë me “Fondazione per il Libro, la Musica e la Cultura” (Fondacioni për Librin, Muzikën dhe Kulturën) – enti organizator i Panairit Ndërkombëtar të Librit, takim me Presidentin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, njëkohësisht edhe Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë së Evropës (Eurochambres), etj.

Në axhendën e vizitës dy-ditore të Ministres Kumbaro një vend të rëndësishëm do të zërë takimi “Tra il Mediterraneo e i Balcani” “Mes Mesdheut dhe Ballkanit”, i organizuar nga shoqata “Qendra e Kulturës Shqiptare” dhe Viaggi Solidali, një mbrëmje kushtuar turizmit. Antropologu Francesco Vietti dhe gazetari Benko Gjata do të prezantojnë “Tirana & Albania”, botim i sapo hedhur në treg nga botimet Morellini. Është kjo guida e parë për italianët që duan të zbulojnë Shqipërinë, shkruar në bashkëpunim me kërkues të Viaggi Solidali.

Vizitë e shkurtër pune në bibliotekën Primo Levi, në qendrën historike dhe kulturore, Venaria Reale, e mbrojtur nga UNESCO, një nga pesë sitet më të vizituara të Italisë, simbol i modernitetit dhe kulturës.{:}