Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në vijim të angazhimit të përbashkët për fuqizimin e institucioneve të artit në Shqipëri, së bashku me delegacionin e MAXXI, Muzeut Kombëtar të Arteve të Shekullit XXI në Romë, Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, z. Marco Alberti, Drejtorit të Institutit Italian të Kulturës, z. Alessandro Ruggera dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Italiane, zhvilluam një vizitë në kantierin e rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura.

Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me punimet që po realizohen me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e hapësirave të reja për ekspozim, ruajtje të fondeve dhe laboratorë të specializuar për restaurim.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një dialogu të qëndrueshëm profesional dhe institucional, duke forcuar vizionin për një qasje bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse ndaj trashëgimisë dhe zhvillimit të artit në Shqipëri.

Bashkëpunimi me një institucion prestigjioz si MAXXI synon të garantojë standarde të larta ndërkombëtare të kthimit të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura në një qendër të hapur, dinamike dhe të aksesueshme për publikun vendas dhe ndërkombëtar.